Domosdoshmëria e mësimit online

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 16:41 | Nga Lulzim Shabani

Qeveria e Kosovës në kuadër të masave për të luftuar koronavirusin, ka pezulluar mësimin për të gjitha institucionet e arsimit. Sipas këtij propozimi ndërprerja e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private, në të gjitha nivelet, do të zgjas deri me 27 mars 2020.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbylljet e shkollave në shumë shtete të botës për të penguar përhapjen e Covid-19, po vështirëson arsimimin e miliona nxenësëve dhe studentëve. Për pasojë, shumë mësues, administratorë dhe studentë kanë ngelur në mëshirën e të mësuarit online, për një pjesë të të cilëve, siç janë edhe nxënësit dhe studentët në Kosovë, kjo metodë mësimi është e panjohur, sepse mësimi online është një model mësimi që ndryshon dukshëm për nga mënyra e zbatimit nga modelet standarde apo tradicionale të mësimit.

Arsimi është një e drejtë parësore e njeriut për të gjithë njerëzit në mbarë botën, pavarësisht rrethanave të krijuara. Edukimi është veçanërisht kritik për të gjithë fëmijët të cilët nga kjo epidemi janë prekur në gati 100 shtete të botës. Edukimi në raste emergjente përfshin mundësi mësimi për të gjitha moshat. Në situata krize siç është kjo e ditëve të sotme, ose deri në momentin kur sëmundja do të konsiderohet si diçka e tejkaluar, mësimin online duhet parë si një mundësi e cila sjell shumë përfititime, në shumë aspekte edukative dhe psikosociale. Pikërisht mësimi në internet apo online mund të jetë një mjet për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ose i e_mësimit mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këto kohë. Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në ditët e sotme  janë elementë kryesorë të reagimit universal ndaj krizave, qofshin ato fatkeqësi natyrore, të shpërfaqura në fshatëra, qytete, shtete, regjione apo edhe në gjithë globin, siç është rasti me koronavirusin. Këto teknologji sot ofrojnë shumë mundësi që përmes platformave të ndryshme institucionet arsimore të ndihmojnë nxënësit, mësuesit dhe prindërit që të rivendoset procesi i mësimdhënies dhe mësimnxënies.  

Dallimi më i rëndësishëm në mes të mësimit online apo në distancë dhe mësimit klasik është që individët mund të vijojnë arsimimin e tyre (parafillor, fillor, të mesëm, bachelor etj.) pa shkuar në shkollë, duke rrezikuar më pak shëndetin e tyre dhe shëndetin e të tjerëve, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe duke përmbushur detyrimet e tyre. Ky sistem, po ashtu është një mundësi jetike e vazhdimit të arsimimit edhe për personat të cilët për shkak të rrethanave të krijuara nuk mund të vijojnë mësimin në shkollat e tyre tradicionale, siç është rasti sot me shumë shkolla anekënd rruzullit.

Të mësuarit në internet, i cili shprehet si aksiomë e përdorimit të kompjuterit dhe internetit së bashku, është një trend i ri arsimor që ka për qëllim tejkalimin e këtyre mangësive drejt lehtësirave dhe mënjanimit të pengesave të ndryshme shoqërore drejt një arsimimi teknologjik.

Mjedisi në klasë siguron që komunikimi ballë për ballë të vendoset ndërmjet nxënësit dhe mësuesit dhe informacioni të transmetohet në mënyrë të shëndetshme. Nëse nxënësi nuk është në të njëjtin mjedis fizik me mësimdhënësin, eliminohet mundësia e komunikimit ballë për ballë. Në këtë rast, për të vazhduar arsimimin, transferimi i informacionit ndërmjet mësuesit dhe nxënësit sigurohet me anë të komunikimit në distancë. E_mësimi ju mundëson përdoruesve të kompjuterëve të ndajnë informacionet apo mësimet në mënyrë interaktive.

Ekzistojnë platforma ose alternativa të gjera dhe të larmishme në sigurimin e mësimit në distancë të cilat mund t’i grupojmë në katër grupe kryesore: audio, fotografi, të dhëna dhe tekst. Mësimi sinkron virtual nënkupton ndërveprimin e pjesëmarrësve, pra mësuesëve dhe nxënësëve me ndonjë platformë e cila përmes internetit mund të zhvillohet në kohë reale. Klasat virtuale nuk janë asgjë tjetër përveç klasave të vërteta në internet ku pjesëmarrësit bashkëveprojnë me njëri-tjetrin përmes mesazheve të çastit, bisedës, konferencave audio dhe video etj.

Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2018/2019 janë 22051 nxënës në arsmimin parafillor. Në arsimin fillor-të mesëm të ulët, që përfshin arsimin e obliguar nëntë vjeçar, janë 235161 nxënës dhe në arsimin e mesëm të lartë janë 81041 nxenës.

Pavarësisht nga rrethanat e krijuara, objektiv kryesor i Ministrisë së Arsimit dhe instutucioneve të tjera arsimore duhet të jetë  ofrimi i  shërbimeve edukative dhe mësimore online për nxënësit deri në periudhën kur ata do të kthehen në shkollat e tyre tradicionale. Koncepti i mësimit në distancë, apo e_mësimit bazohet në këtë qëllim themelor. Qëllimi i mësimit online është ofrimi i shërbimeve arsimore për audiencën më të gjerë, ose me barazinë e mundësive në arsim pavarësisht vështirësive që mund të shfaqen, qofshin ato të rastit apo natyrore, në periudha të shkurtëra apo më të gjata kohore.

Shqipëria tashmë ka filluar aplikimin e mësimit online. Për më tepër institucionet arsimore kanë publikuar udhëzimet që shpjegojnë se si do të zhvillohet mësimi nga shtëpia, pas mbylljes së shkollave për një periudhë 2 javore, si masë parandaluese ndaj koronavirusit.

Urojmë dhe shpresojmë që kjo mënyrë mësimi online, apo krijimi i klasave virtuale të filloj që nga e hëna për të gjithë fëmijët në Kosovë dhe do të vazhdoj deri në hapjen e shkollave duke u zgjeruar dhe funksonalizuar hap pas hapi.

Të ngjashme