Dorëheqja e papritur e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pushtuar vëmendjen e shtypit vendas, por është pasqyruar edhe tek disa media të huaja.
Gazeta me e madhe e Minesotës në SHBA, Star Tribune, përcjell shkrimin e Associated Press ku nënvizohet se përmes twitterit, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë pranimin e kësaj dorëheqjeje pa dhënë ndërkohë asnjë shpjegim tjetër.
Përmendet po kështu fakti që Xhafaj vendos të largohet pas operacionit në vazhdën e të cilit përfunduan në pranga më shumë se një duzine të dyshuarish si të përfshirë në rrjete të krimit të organizuar, njofton TCH.
Mes të arrestuarve, kanë qenë dhe dy ish-ligjvënës të Partisë Socialiste. Edhe Xhafaj vetë nuk jep shpjegime përveç faktit se dorëheqjen, e ka paraqitur vullnetarisht.
Ndër të tjera, përmendet edhe gjetja e shpejtë e zëvendësuesit Sandër Lleshi nga Rama, për të cilin thotë se do t’i sjellë postit “energji të reja pozitive” si dhe përshëndetja e bërë këtij zhvillimi nga ana e Partisë Demokratike, që e përshkroi si hap të rëndësishëm në luftën e saj për pastrimin e politikes nga krimi.