Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha se është e vështirë të ndryshohet qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën, sepse ato mbrojtën një politikë që e kanë bërë në vitet e nëntëdhjeta dhe thotë se për Serbinë është e rëndësishme që të mbaj numrin e vendeve që s’e kanë njohur Kosovën.
“Pavarësisht në madhësinë e vendeve, votat janë të matura dhe të gjithë janë të barabartë në kapacitetin e votimit në organizata ndërkombëtare. Për ne është e rëndësishme që të mbajmë numrin e vendeve që s’e kanë njohur Kosovën, e për ta mbajtur, na duhet të kemi marrëdhënie të mira bilaterale dhe t’i vizitojmë”, tha Daçiq në televizionin publik serb.
Thotë se është e vështirë t’u ndryshohet qëndrimi shteteve anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën, sepse thotë se ato mbrojnë politikën që e kanë bërë në vitet e nëntëdhjeta.
“Shpallja e njëanshme e pavarësisë është fund i një politike të tillë. Kjo është mbrojtja e tyre, por i nervozon shumë sepse procesi nuk ka përfunduar. Ata mendojnë se është e pamundur që numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën të bie nën 100. Vetëm një shtet nëse është në pyetje, nuk ka konsensus. Për këtë arsye Kosova është asimetrike në të gjitha dokumentet e BE-së”, shtoi Daçiq, transmeton Koha.net.
Në lidhje me afatet për anëtarësimin e Serbisë në BE, Daçiq thotë se ka disa afate indikative.
“Një vit indikativ është 2025-a. Nga ana jonë nuk ka kurrfarë tregtie për shkak të disa afateve. Nuk mund të flitet me ne në atë formë për një temë vitale siç është Kosova. Për ta do të jetë vazhdimisht e më e rëndë, ndërsa një numër i vendeve po mendojnë për vendimet e tyre dhe po presim që një numër i vendeve të tërheqin njohjet”, deklaroi ministri serb i Jashtëm, Daçiq.
I pyetur për deklaratën e ministri serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili tha se “nëse për BE-në është e rëndësishme vetëm Kosova, atëherë duhet të ndryshojmë politikën tonë të jashtme”, Daçiq tha se e kupton reagimin e Vulinit, mirëpo prioritet i politikës së jashtme të Serbisë është anëtarësimi në BE.