“Drag Race II”, këtë fundjavë në pistën e vjetër të Aeroportit

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Federata e Autosportit e Kosovës, njofton se “Drag Race” i dytë për vitin 2019 mbahet këtë fundjavë në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë, ndërsa të gjitha sinjalet janë për një garë interesante, qoftë për nga numri i pjesëmarrësve, rivaliteti, veturat që do të jenë në garë dhe interesimi nga dashamirët e automobilizmit, transmeton Koha.net.

“Paraqitja në garë, pajisja me numrat garues, verifikimi i dokumentacionit dhe dy vozitjet kualifikuese do të kryhen të shtunën, duke filluar nga ora 10:00, ndërsa e diela pritet të jetë shumë e nxehtë”, thuhet një njoftimin e FASK-ut.

“Garues nga vendi, rajoni, por edhe mërgimtarët kanë paralajmëruar garë të fortë dhe atraktive”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, FASK i ka marrë të gjitha masat që edhe këtë herë gara të ketë rrjedhë sa më të mirë të mundshme.

Pas brifingut me garues dhe procedurave të zakonshme, gara zyrtarisht pritet të fillojë në orën 11:00.

“Përveç kupave, FASK ka menduar edhe për dhurata tjera për fituesit, ndërsa nuk do të mungojnë as befasitë”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme