Bota kishte kthyer sytë kah Kosova në marsin e vitit 1999. Po bëhej përpjekje që krimi i ushtrisë se Slobodan Milosheviqit të ndalej.
Bombardimet e NATO-s kishin filluar. Por, reagimi ndërkombëtar vetëm sa nxiti kreun serb Milosheviq dhe regjimin e tij që të ashpërsojë fushatën e tij kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Bombardimeve të NATO-s shteti serb iu përgjigj me një fushatë të re spastrimi etnik të Kosovës. Vrasjet masive, djegiet e shkatërrimet, dhunimet dhe dëbimet e shqiptarëve, burra, gra, pleq e fëmijë, u bënë përditshmëri në Kosovë. Forcat serbe, me mijëra ushtarë, policë e vullnetarë, u vunë në aksion për të zbrazur vendin nga shqiptarët.
Bota nuk mund të injoronte atë që ndodhte. Drejtësia ndërkombëtare u vu në lëvizje. Më 27 maj 1999, Tribunali i Hagës bëri publike aktakuzën kundër Milosheviqit dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë serbë. Akuza ishte për planifikim dhe ekzekutim të vrasjeve dhe dëbimeve të civilëve shqiptarë në Kosovë. Krime lufte dhe krim kundër njerëzimit, shkruan KOHA.
Intervenimi i NATO-s i hapi rrugë përballjes me drejtësinë të atij që e quanin “Kasapi i Ballkanit”.
“Do të duhet kohë, por me forcën tuaj dhe vendosmërinë tuaj nuk ka dyshim se çfarë do të jetë rezultati. Fushata e spastrimit etnik në Kosovë do të përfundojë dhe do të ktheheni”, ishte porosia e Bill Clintonit, atëkohë president i SHBA-së, për më shumë se një milion refugjatët kosovarë të dëbuar nga regjimi i Milosheviqit.
“Ekziston dyshim i bazuar për të besuar se këta të akuzuar janë përgjegjës penalisht për dëbimin e 740,000 shqiptarëve të Kosovës dhe për vrasjen e 340 shqiptarëve të Kosovës”, kishte thënë asokohe kryeprokurorja Louise Arbour, në një konferencë shtypi në Hagë.
Fundi i luftës solli edhe më shumë dëshmi për krimet e kryera. Aktakuza u zgjerua, dhe derisa Kosova u çlirua nga Serbia, në vitin 2000 edhe Serbia shfrytëzoi rastin të lirohet nga Milosheviqi. Më 5 tetor 2000 ai u rrëzua nga pushteti, dhe një vit më vonë, nën presionin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, Milosheviqi u ekstradua në Hagë, ku edhe do të gjykohej.
Qindra dëshmitarë u vunë përballë personit që ishte përgjegjës për tri luftëra, ku ndodhën krime të rënda kundër civilëve – Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Gjykimi zgjati, pasi që aktakuza e tij u zgjerua, dhe asaj për krime në Kosovë iu shtuan edhe krimet në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Dhe, në fund, në vend se të dënohej, pak para shpalljes së verdiktit, Milosehviqi vdiq në burgun e Hagës, duke e lënë procesin e tij përgjithmonë të papërmbyllur.
Megjithatë, të akuzuarit e tjerë me të, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë serbë që u akuzuan pas tij, u dënuan për krimet e kryera në Kosovë.