Drejtorët e Arsimit të shqetësuar për mosfurnizim me tekste shkollore, në 7 komuna s’ka fare librari

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 14:23 | Nga Hanmie Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të mërkurën është mbajtur mbledhje e Kolegjiumit të drejtorive të arsimit, pas njoftimit se nuk është arritur marrëveshja për furnizim me libra për fillimin e vitit shkollor 2023/24 nga ana e MAShTI dhe e shtëpive botuese, raporton Ekonomia Online.

Drejtorët kërkuan që tekste shkollore të sigurohen sa më parë, duke konfirmuar se në shtatë komuna nuk ka fare librari.

Zahir Doda, drejtor i Arsimit në Kaçanik, tha se meqë në këtë komunë nuk ka librari është shqetësim i madh arritja e blerjes së librave nga prindërit.

I pyetur nëse kanë biseduar me këshillin e prindërve të komunës të cilën e përfaqëson, Doda tha se nuk janë takuar, pasi akoma janë në pritje të një vendimi nga ministrja.

“Në Kaçanik deri më sot nuk ka librari, realisht ky është njëri prej shqetësimeve e teknikisht është e pamundur të realizohet lajmi që e dëgjuam për libra. Të paktën ka qenë obligim moral i ministres që neve drejtorëve të arsimit të na lajmërojë për këtë vendim që do ta marri, përndryshe çdo kërkesë që e ka pasur MAShTI rreth furnizimit me libra iu kemi përgjigjur me kohë. Është bërë punë e madhe në maj dhe në qershor për të plotësuar lloj-lloj formulari përmes aktiveve të ndryshme. Nëse ka ndonjë komunë që nuk i është përgjigjur ministrisë le të thonë ata”.

“Përndryshe për komunën e Kaçanikut e di që saktë  jemi përgjigjur në të gjitha kërkesat e MAShTI. Nuk e di, ne po i presim librat, e jona është që më 1 shtator t’i presim librat. Dihet kush e ka obligim furnizimin e librave. Jo, sepse ende nuk është marrë vendimi. Nuk po e dimë vendimin e ministrisë sepse ajo akoma e ka lënë rezervë sot apo nesër”.

Kurse se si planifikohet se do t’i blejnë prindërit librat tha se “Kërkova prej Ferizajt një rrugë me na e liruar për një javë neve të Kaçanikut që të shkojmë t’i blejmë librat sepse s’kemi si ndryshe”.

Edhe Qemajl Sejdiu, drejtor i Arsimit në komunën e Klinës, e sheh si shqetësim të madh këtë cështje pasi edhe kjo komunë librari.

Sipas tij, blerja e librave është një barrë shtesë për prindërit duke thënë se si komunë nuk u ka pëlqyer propozimi për rimbursimin e prindërve.

“Si komunë i kemi bërë të gjitha përgatitjet e fillimit të vitit shkollor më 1 shtator, tash rrugës na doli edhe një problem, furnizimi me libra. Ne e kemi pasur edhe një takim me këshillin e prindërve, e kemi këtë shqetësim për shkak se komuna e Klinës nuk ka as librari. Sa i përket opsionit të qeverisë, nuk e shoh si të mirë aspak, dhe nuk pajtohem me të sepse kjo do duhej të ishte e përgatitur më herët, e jo të sillen prindërit në këtë sfidë. Ne po e shohim sa probleme po kemi me numër të nxënësve, edhe tua hedhim edhe një barrë tjetër prindërve, që të kujdesen edhe për libra mendoj se nuk është mirë dhe ne si komunë nuk pajtohemi”, u shpreh Sejdiu.

I pyetur se çka planifikojnë të bëjnë, ku do t’i blejnë librat qytetarët e Klinës, Sejdiu tha se këtë do e bëjnë në Pejë, e në komunat e tjera përreth, raporton EO.

“Ne zgjidhje kemi që të shkojmë në Pejë, nuk kemi tjetër zgjedhje. Është mirë që të gjithë prindërit që kanë fëmijë në Komunën e Klinës të shohin veprimet e MAShTI. Nuk ka të bëjë me asgjë politike. Por prindërit kanë barrë edhe të kujdesen për fëmijë, edhe t’i shkollojnë e tani të kujdesen edhe për libra”, tha Sejdiu.

Kurse Avni Morina, drejtor i Arsimit në Rahovec, tha se është shqetësues fakti se si në kohën që është dashur të shpërndahen tekstet mësimore, njoftohet për një lajm të tillë.

Morina tha se e sheh shqetësim furnizimin me libra jo vetëm për DKA-në, por mbi të gjitha për prindërit.

“Ne si drejtori e arsimit i kemi bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor por është shqetësues fakti që pikërisht në kohën kur do duhej të shpërndaheshin librat nëpër shkolla dhe nxënësit të furnizoheshin me libra, na vjen një lajm nga MAShTI, një lajm shumë i vonuar i cili të paktën do ishte mirë të kumtohej në qershor e jo tash kur jemi edhe pak ditë para fillimit të vitit shkollor. Pra është një shqetësim jo vetëm i drejtorisë së arsimit, por edhe i prindërve sepse ende nuk e dimë se si do furnizohemi me tekste shkollore”, tha Morina

Morina i pyetur nëse do të fillojë mësimi më 1 shtator, tha se nuk e di si do jetë kjo e mundur pa tekste mësimore.

“Unë nuk e di se si do mund të fillojë mësimi shkollor nëqoftëse nxënësit nuk e kanë elementin bazë për nxënie që është libri. Mungesa e teksteve shkakton probleme të mëdha sepse asnjë mësimdhënës nuk e ka idenë si do ta mbajë procesin mësimor pa tekste”, u shpreh Morina.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme