Drejtori i AKA-së i njofton universitetet per procedurat e akreditimit

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), ka përfunduar takimet informuese me të gjitha institucionet e arsimit të lartë (IAL) në Kosovë, të cilat gjatë këtij muaji do t’i nënshtrohen procesit të akreditimin institucional.

Institucionet e arsimit të lartë i kanë mirëpritur këto takime dhe kanë marrë informata të detajuara, nga drejtori i Agjencisë së Akreditimit, Naim Gashi lidhur me gjithë mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit institucional, ndërsa zyrtari i lartë për vlerësim dhe monitorim, Arianit Krasniqi ka shpjeguar në detaje të gjitha standardet e manualit mbi të cilat bazohet vlerësimi i ekspertëve.

“Është hera e parë që institucionet e arsimit të lartë dhe Agjencia e Kosovës për Akreditimit përballen me procesin e vlerësimit në distancë, për shkak të mbylljes së trafikut ajror dhe pamundësisë së ardhjes së ekspertëve ndërkombëtarë. Për të ardhur deri te ky vendim është zhvilluar një debat gjithëpërfshirës, janë marrë në konsideratë udhëzimet e ENQA-s dhe praktikat e agjencive homologe në Evropë, janë konsultuar partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të agjencisë, shoqëria civile dhe komuniteti akademik”, ka thënë Gashi.

Ai tha se ekziston një konsensus i gjerë se mundësia e vetme për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, ka qenë vlerësimi në distancë dhe për këtë arsye janë përgatitur maksimalisht që ky proces të jetë profesional, kreditibil dhe në pajtim me standardet e cilësisë.

Gashi ka thënë se janë aranzhuar dhe zhvilluar takime informuese-këshilluese me 14 institucione publike dhe private të arsimit të lartë të cilat po i nënshtrohen procesit të vlerësimit. “Përveç skenarit të detajuar të dërguar me shkrim, qëllimi i këtyre takimeve ka qenë që të jemi transparent me IAL-të dhe publikun, për mbarëvajtjen e procesit të akreditimit”, ka thënë Gashi. Me qëllim të rritjes së transparencës, siç tha ai, për këtë proces janë informuar institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe kanë publikuar çdo javë komunikata për publikun.

Për shkak të gjendjen emergjente shëndetësore, me vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) akreditimi gjatë këtij viti do të zhvillohet në distancë, ndërsa me kërkesë të Agjencisë së Akreditimit, konform vendimit të KShC-së, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka përditësuar legjislacionin për ta zbatuar me sukses këtë proces.

Konform legjislacionit në fuqi, vlerësimi institucional i IAL-ve do të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët janë pjesë e listës së aprovuar nga KShC-ja.

Të ngjashme