Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se janë rreth 100 pjesëtarë që kanë probleme psikike. Kjo deklaratë u vlerësua si e pamatur nga njohës të sigurisë, teksa psikologët thonë se policët duhet të kenë kontrolle të rregullta.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pranuar se rreth 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë probleme psikike dhe se aktualisht janë duke iu nënshtruar trajtimeve.
Ai ka shtuar se si pasojë e mungesës së Ligjit për Policinë, të njëjtët duhet t’i mbajnë në punë dhe nuk mund t’i shkarkojnë.
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami, këto deklarata i vlerëson si të pamatura dhe se mungesa e ligjit nuk duhet të jetë arsye që raste të tilla të përsëriten.
“Në këtë mënyrë tregohet se prapë mund të ndodhin raste të tilla si ai në Gjilan e policia nuk mund të merr masa. Kjo deklaratë është e papërgjegjshme për një drejtor të policisë sepse mjeku është ai që përcakton shkallën e sëmundjes për një person. Nëse ka ende raste të tilla në polici, atyre duhet t’u merren armët”, deklaroi , Avni Islami.
Sindikata e Policisë vlerëson se sigurimet shëndetësore do të kishin qenë masë preventive për ngjarje të tilla.
“Sigurimet shëndetësore do të mundësonin rehabilitimin e të gjithë pjesëtarëve të policisë që do të kishin ndonjë nevojë për rehabilitim”, deklaroi kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi.
Psikoterapeuti Yll Avdijaj vlerëson se rastet të cilat trajtohen nga policët mund të çojnë deri te çrregullimet psikike por thotë se kontrollet duhet të jenë të rregullta.
Rtv Dukagjini ka kërkuar sqarime shtesë nga Policisë së Kosovës për procedurat e kontrolleve rutinore mjekësore ndaj policëve por këta të fundit nuk janë përgjigjur. Ndërsa Televizioni merr vesh se kontrolle fizike dhe psikike të rregullta në PK iu bëhen vetëm departamenteve të caktuara.