Drejtor i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, këshilltar në Qeveri, kryshef ekzekutiv në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”, tash ofiqar në Komunën e Prishtinës. Ky është, Bekim Gashi, punëtori i Shpend Ahmetit që mbush formularë të gjendjes civile.
Dy krerët e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu, thonë se ndërmarrjen “Trafiku Urban” e kanë gjetur me rreth 5 milionë euro borxh ndajë furnitorëve dhe me 21 paga borxh ndajë punëtorëve.
Me këtë deklaratë ata e godasin ish-menaxhmentin e Ndërmarrjes. Por, para pak kohëve në pozitën thuajse më të ulët të stafit civil në këtë Komunë është punësuar ish-drejtori i “Trafiku urban”, Bekim Gashi, shkruan Lajmi.net.
Gashi ka qenë kryeshef nga fundi i vitit 2011 deri në vitin 2014.
“Ka pasur konkurs për këtë punë. Pasi që nuk u përkasë strukturave të partisë, përzgjedhja nuk është bërë e njëanshme, por mbi bazën e vlerave. Tash llogariteni, kam qenë një kryshef, kam qenë këshilltar në Qeveri, pastaj drejtor i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tash kam rënë në ofiqari. Për këtë post, nuk është kërkuar kushedi se ç’farë, megjithëse në garë i kam pasur 49 persona për këtë post dhe krejt kanë qenë me shkollë të mesme”, tha Gashi për Lajmi.net.
Ish-drejtori i “Trafiku urban” është dhëndër i shefit të Grupit parlamentar në Asamblenë e Prishtinës, Feti Mediu. Asamblisti Mediu, ndonëse, nganjëherë ka qasje kritike ndaj ekzekutivit të Komunës, ai i voton thuajse të gjitha vendimet që shkojnë në Kuvend. Kësisoj ka një lloj “paqeje” me pushtetin. Por, Gashi thotë se në asnjë rast, Mediu nuk e ka përdorur autoritetin e tij që ai të marrë një pozitë, siç thotë ai kaq minore në Komunë.
“Me më pa degju, Feti Mediu isha drejtor në Komunë, dhe jo ofiqar. Ai i ka parimet e veta dhe nuk më ka dëgjuar, se e kanë lutur në Komunë për koalicion, por siç thash ai i ka parimet e veta që nuk i then për asnjë pozitë dhe çmim. Duhet me punu çka të vjen në rend, pastaj ngritesh ngadalë dal, mund të biesh prapë. Kështu e ka kjo punë”, shtoi tutje Gashi.