Iniciativa tani më tradicionale, “Ta pastrojmë Kosovën” është shënuar me shumë aktivitete edhe ne Komunën e Drenasit. Fillimisht ky aktivitet është shënuar në sheshin e qytetit “Fehmi Lladrovci” dhe ka vazhduar edhe në vendbanime të tjera për të pastruar deponit ilegale, ku i janë bashkangjitur dhjetëra operatorë ekonomik dhe vullnetarë të tjerë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë pastrimit në shesh, ku merrnin pjesë shumë qytetarë, Policia e Kosovës, punëtorë komunal, Kryqi i Kuq, ndërmarrja “Pastrimi”, ujësjellësi regjional “Prishtina” dhe nxënës të shkollës së qytetit, tha se ambienti duhet të mbahet i pastër për secilën ditë dhe kujdesi ndaj tij duhet të jetë i gjithsecilit.
“Komuna e Drenasit qëndron mirë në menaxhimin e mbeturinave, tani më të gjitha vendbanime janë në sistem, dhe shpresojmë që shënimi i kësaj dite të mbetet simbolike ne të ardhmen e afërt, pasi që ambienti është i të gjithëve dhe kujdesi ndaj tij, duhet të jetë i gjithsecilit”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Aksioni për pastrimin e qytetit, vendbanimeve tjera dhe largimi i deponive ilegale ka vazhduar gjatë terë ditës, ndërsa këtij aktiviteti i janë bashkangjitur, Policia e Kosovës, kompania “Pastrimi”, Kryqi i Kuq, OJQ “CE&DE”, ndërmarrja e “Ferronikelit”, “Al-Trade”, “Korabi”, “Trasing Group”, “A&I Group”, “Valdrini”, “Fer-Petrol”, “G-Eng”, “Kastrati”, “M-Shala”, “Blinaja-AM”, si dhe nxënësit e shkollave fillore “Rasim Kiçina”, “Xheladin Gashi”, “Ali Gashi”, “Halil Bajraktari” dhe shkolla e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”.