Drenasi mbanë Seancë Solemne për nder të Ditës së Çlirimit

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 13:08 | Nga

Me rastin e shënimit të 19 vjetorit, Ditës së Çlirimit të Drenasit, është mbajtur edhe Seanca Solemne ku merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë.

Seancën e ka kryesuar, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, i cili tha se data e 14 qershorit kthen kujtesë të qytetarëve të Drenasit, ditën kur pas shumë përballjeve me vdekjen, u ringjall edhe një herë shpresa për jetë. Kjo datë e vitit 1999 vulosi përpjekjen e heronjve e dëshmorëve tanë dhe kurorëzoi misionin e tyre të shenjtë, që ky vend të çlirohej një herë e përgjithmonë nga kthetrat e pushtuesit të dhunshëm e ta përqafonte paqen, si të gjithë popujt e botës.

Ne një fjalim rasti, ne seancën solemne i është drejtuar të pranishmëve kryetari Ramiz Lladrovci ku me poshtë gjeni fjalimin e tij;

Të nderuar familjar të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve të Drenasit,

Të nderuar invalid, veteranë dhe bashkëluftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar qytetarë,

Në 19 vjetorin e çlirimit të komunës së Drenasit, datë kjo historike për komunën tonë, është rast të shprehim, respektin e thellë për secilin që ka kontribuar për këtë ditë.
Respekti ynë për secilin që ka kontribuar për çlirim, ne sot ia shprehim me përkushtimin tonë të patundur për të rritur mirëqenien e qytetarëve, me arsim cilësor, shëndetësi, infrastrukturë cilësore dhe çdo fushë tjetër që është me interes për qytetarët.

Historia na detyron t’i themi edhe disa fjalë si kronologji për këtë ditë.

Drenica ishte vatër e rezistencës për më shumë se një shekull, andaj, historia na ngarkoi me përgjegjësi të cilat me nder dhe krenari i kemi kryer.

Kur flitet për çlirim, mendojmë së pari për rezistencën që e përmbysi Perandorinë otomane, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Okupimi më i egër se ai otoman, ishte okupimi i një mbretërie të ndërtuar mbi kurrizin e kombit shqiptar, duke e bërë Shqipërinë të kufizohet në të gjitha anët me shqiptar.
Rezistenca antikomuniste në krye me Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën, ka vijuar më 1946 dhe 1948 me Rifat Berishën.

Rezistenca do të vijoj me demonstratat e vitit 1968, Fazli Grajçevcin si një nga dëshmorët emblematik i fillesave të rezistencës antijugosllave në rrethana të reja.

Kundërshtimi masiv i pushtimit me demonstrata të fuqishme të vitit 1981, Drenasi do të jetë fole e rezistencës, ku filluan të dëgjohen edhe krismat e para në demonstrata.

Pas demonstratave dhe rezistencës pasive kundër Serbisë, filluan të ngritën edhe celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njësitet dhe brigadat që lavdinë shekullore do ta trupëzojnë në liri, së bashku me partnerët tanë, NATO-on.
Zonja e zotërinj,

Çlirimi ka kërkuar sakrifica dhe ne i kemi bërë, me vetëdije dhe vullnet sepse, pa sakrifica nuk arrihet çlirimi. Në këtë përvjetor të çlirimit, kemi me çka të krenohemi.
Sot, komuna e Drenasit ka përkushtim për përmirësimin e standardit dhe jetës së qytetarëve siç janë; fillimi i rrugës me katër korsi, Polluzhë-Drenas-Komoran, ku do të ndërtojmë edhe Urën që do ta lidhë Komoranin dhe Drenasin që për vite të tera është kërkesë nga qytetaret e kësaj ane dhe ka munguar për vite.

Tashmë ka filluar studimi i fizibilitetit për Stadiumin nacional të Kosovës,
Për pak javë presim të fillojnë punimet e shkollës së mesme profesionale në Komoran, ku kemi propozuar të mbajë emrin e Heroit, Bedri Shala, si dhe ndërtimin e Stadiumit Sintetik, po në Komoran.

Presim përgjigje pozitive, pas dorëzimit të kërkesës sonë për ndërtimin e pendës për liqenin artificial të Vërbocit, që do të shërbej për grumbullimin e ujit të pijes për rreth 40 mijë qytetar të Drenasit.

Po zonja e zotërinj,
Kemi edhe sfida.

Sfida kryesore do të jetë trajtimi i ujërave të zeza dhe pastrimi i lumit Drenica dhe përroskave të komunës sonë si dhe rehabilitimi i qindra deponive dhe mbetjeve inerte të krijuara që nga përfundimi i luftës më 1999.

Sa i takon arsimit, ne e kemi vendosë prioritet.
Infrastruktura shkollore, kabinetet dhe bibliotekat mbesin prioritet.

Bashkëpunimi me Finlandën, është tregim i veçantë suksesi, ndërsa kemi bashkëpunim edhe me shkollat gjermane, ku nxënësit tanë tani kanë krijuar ura bashkëpunimi me bashkëmoshataret e tyre në shkollat perëndimore.

Nxënësit tanë morën pjesë në Olimpiadën e fëmijëve në Austri në nivele individuale kemi zënë vende të para dhe të dyta por në nivelin e përgjithshëm të olimpiadës vendin e tretë. Pesë pjesëmarrësit në këtë olimpiadë i falënderoj, na bëtë krenar.
Ferronikeli ka zënë vendin e parë për moshat deri 13 vjeç, futbollistët tanë Feniksat në Futsall janë kampion të vendit dhe së shpejti do të ballafaqohen në arenën ndërkombëtare.
Edhe sportistë tjerë kanë treguar rezultate dhe i përgëzoj nga zemra në emër të komunës dhe në emër timin.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë kësaj kohe, kam pasur shumë ftesa, ndërsa kam mundur të shkoj vetëm në disa prej tyre. Dua të veçoj Australinë. Aty kam vendosur ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme, i një rëndësie të veçantë është fusha e arsimit.
Qendra e biznesit është në fazën e finalizimit dhe presim që këtë vit të kemi një pjesë të punëve të përfunduara rreth infrastrukturës.

Presim fillimin e prodhimit në Ferronikel.
Kemi pritur investitor dhe presim të kemi rezultate në këtë drejtim.
Kemi edhe shumë suksese tjera, por, më e rëndësishmja është kthimi i perspektivës dhe optimizmit për investitorët.
Të nderuar qytetarë,

Në shtator, do të vendosen shtatoret e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në shesh. Përjetësimi i tyre dhe derdhja në bronz ka filluar para se të zgjidhem kryetar i komunës. E gjithë kjo, nuk do të ngarkoj buxhetin e komunës për asnjë cent.

Në vitin tjetër, në bronz do të përjetësohet edhe Rasim Kiçina dhe më pastaj, Bedri Shala.

Sakrificën e gjeneratave të tëra që ne sot të jemi të lirë, ne këtë kurrë nuk do ta harrojmë.

Lavdi jetës e veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit.
Lavdi sakrificës së martirëve dhe të pagjeturve të lirisë tonë.
Gëzuar dita e çlirimit. Ju faleminderit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme