Përderisa zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit po afrojnë, kandidati i pavarur për postin e të parit të qytetit Xhavit Drenori, ka thënë se beson që ka shanse të mira të jetë fitues sepse qytetarët e Drenasit, ia kanë kthyer shpinën Ramiz Lladrovcit.
Në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Drenori tha se Partia Demokratike e solli në kandidaturë Lladrovcin në mënyrë autoritare, prandaj ka vendosur të kandidojë i pavarur, dhe shton qytetarët do ta dënojnë PDK-në për këtë arsye.
“S’jam kundër PDK-së, por jam kundër kandidatit që e sollën në kandidaturë në mënyrë autoritare. Qytetarët e Drenasit, do t’ia kthejnë shpinën kandidatit që erdhi në mënyrë autoritare në garë. I kam shanset e mira që edhe pa balotazh ta fitoj garën, megjithatë secili prej nesh mbanë përgjegjësi për ato që thotë, the assesi nuk do të tërhiqem nga gara”.
Ai ka thënë se edhe qeverisja e kaluar në krye me Nexhat Demakun që u dënua për krime lufte, ishte jo e mirë për qytetarët dhe kishte elemente autoritarizmi.
“Qeverisja Demaku, ishte një qeverisje totalisht autoritare, ku ata kanë vendosur për çdo gjë në atë qytet”.
Drenori thotë t’i ketë hyrë garës me optimizëm se e ka mbështetjen e zgjedhësve, duke premtuar se do të bëjë ndryshime të mëdha dhe do t’i adresojë të gjitha problemet që ka qyteti.
“Janë disa arsye se pse kam vendosur t’i hyj kësaj gare. E para është për t’i zgjidhur problemet të cilat i kam identifikuar si asamblist gjatë tri viteve. Debati brenda Partisë Demokratike nuk ka qenë efektiv, dhe pas bisedave që kam pasur me qytetarët e miqtë, kam vendosur që të kandidoj i pavarur”.
“Arsyeja kryesore pse një qytetar i Drenasit duhet të votojë për mua është se kam krijuar besim tek qytetarët, dhe jam shumë i informuar me problemet e tyre”.
“Disa prej çështjeve që s’kam mundur t’i shtroj sa isha anëtar i Kuvendit, do t’i bëj tani dhe ato që s’mundi t’i bëjë kryetari i kaluar, do t’i bëj unë”, ka thënë Drenori.
Ndër të tjerash, ai ka deklaruar thënë se, “jam optimist sepse jam çdo ditë në kontakt me elektoratin, që mezi ka pritur të jem në garë. Flas me bindje të plotë se në Drenas do të ndodhë një befasi kësaj radhe”.