Drita e Gjilanit pa shtëpi dhe pa fitore

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Gjilani, një nga qytetet më të mëdha në Kosovë, por që ngec prapa në sportin e dytë më të popullarizuar në vend, basketbollin. Pas shtatë viteve, Drita e siguroi inkuadrimin në Superligën e Kosovës në basketboll. Por, gjilanasit nuk po e shijojnë eksperiencën elitare. Ata ende nuk e kanë zhvilluar asnjë ndeshje si vendas në Gjilan, e as nuk e kanë festuar asnjë fitore.

Deri tani, Drita i ka zhvilluar 16 ndeshje, ku të gjitha i ka humbje dhe gjasat për mbijetesë janë venitur. Arsye për këtë janë kushtet e vështira financiare, por mbi të gjitha mungesa e një salle që i përmbush kriteret për zhvillimin e një ndeshje në elitën e basketbollit kosovar.

I kontaktuar nga Gazeta Express, kryetari i KB Dritës, Arben Bislimi tregoi se arsyeja pse gjilanasit nuk e kanë zhvilluar asnjë ndeshje si vendas janë kushtet e këqija të sallës së qytetit nga Anamorava.

“Arsyeja kryesore është mungesa e kushteve të sallës. Nuk ka nxemje, semaforët e kështu me radhë. Tashmë i kemi të gjitha humbje dhe jemi pajtuar me faktin se nuk kemi mundësi për mbijetesë”, deklaroi Bislimi.

Tutje ai tha se gjatë një takimi me presidentin e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni i është premtuar se gjatë vitit të ardhshëm salla do të jetë e gatshme.

Bislimi tha se janë në bisedime me një trajner amerikan, i cili nëse arrihet marrëveshja do të vijë pa pagesë.

Përveç problemit me sallë, bardhekaltrit kanë edhe probleme financiare. Gjatë afatit kalimtar të janarit, Drita ishte skuadra e vetme që nuk bëri asnjë transferim. 

Të ngjashme