Duhet të merren masa për ta parandaluar një krizë sociale në muajt në vazhdim

Prishtinë | 22 Mar 2020 | 13:43 | Nga Zekirja Shabani

Nuk duhet të bëhet panik, por situata po bëhet serioze nëse nuk merren masa për ta parandaluar një krizë sociale në muajt në vazhdim, e cila do të prekë më shumë se gjysmën e familjeve kosovare të varura nga pagat në sektorin privat.

Të punësuarit në ndërtimtari e hotelieri mund të jenë të parët që mund të preken. Megjithatë, situata mund të përkeqësohet edhe në sektorët e tjerë për shkak të efektit zingjiror në ekonomi.

Pa e pasur fare telashin e koronavirusit statistikat tregojnë se me rrogat që marrin në kompanitë private, kosovarët nuk mund të paguajnë as faturat e rrymës, ujit e kreditë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës del se afro 300 mijë qytetarë të punësuar mezi ngopen me bukë.

Të dhënat e fundit të prodhuara nga ASK për buxhetin e ekonomive familjare dhe përballueshmërinë e shpenzimeve (Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare 2017) tregojnë se:

  • 44 përqind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë gjatë vitit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat e tyre.
  • Gati gjysma, apo saktësisht 49 për qind të ekonomive familjare në Kosovë kanë përballuar me vështirësi të mëdha një shpenzim të papritur në vlerë të 500 euro përmes burimeve vetanake.
  • 43 për qind ekonomive familjare nuk ka mundur të mbajë shtëpinë apo banesën të ngrohtë në mënyrë adekuate
  • 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavorë.

Panik jo, kujdes e mireqenie po!

Të ngjashme