“Abdixhiku do ta përmbys Vetëvendosjen, sidomos popullzimin që gjithmonë e kanë fituar”

Prishtinë | 18 Dhj 2024 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Dumoshi shpreh besimin e saj se LDK-ja do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, bazuar dhe në fushatën elektorale që kjo parti po zhvillon në terren, si dhe përkrahjen që po merr, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Dumoshi ka deklaruar se programi i LDK-së për zhvillimin e vendit ka qenë një nga pikat kryesore të fushatës, dhe ajo është e bindur se LDK-ja do të arrijë të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka bërë një fushatë përmbajtjesore ku ka pasur një interes të publikut dhe pjesa më e madhe ka qenë të interesuar për programin e LDK-së për zhvillimin e vendit por edhe fushat e ndryshme që janë të parapara. Jam e bindur që LDK-ja do të ngjitet lartë e më lartë dhe do ta marrë qeverisjen në zgjedhjet e ardhshme. Nuk konsideroj që kemi pasur humbje në elektorat me vetë faktin që në zgjedhjen komunale LDK-ja ka dal shumë e fortë, me numrin më të madh të komunave të fituara. Andaj kjo është një reflektim që në këto zgjedhje LDK-ja do të jetë fituese”, ka deklaruar Dumoshi.

Ajo theksoi se, përkundër rezultateve të zgjedhjeve lokale, ku LDK-ja ka fituar shumicën e komunave, kjo nuk do të konsiderohet si humbje, pasi tregon një trend pozitiv dhe një mbështetje të gjerë për partinë.

Dumoshi foli edhe për angazhimet e saj politike gjatë karrierës, si ministre dhe deputete, duke përmendur fushat që ajo do të mbështesë, si arsimi, kultura dhe sporti. Ajo theksoi se do të jetë aktive në këto fusha dhe do të kontribuojë në përmirësimin e politikave në to.

“Të them të drejtën unë si Vlorë e pres mbështetjen nga populli dhe qytetarët e Kosovës, sepse edhe gjatë karrierës sime politike dhe angazhimet e mia qoftë në nivelin lokal dhe qeveritar si ministre dhe në Kuvend si deputete kam arritur që të kryej përgjegjësitë që kam pasur përpara dhe besoj që do të më mbështesin qytetarët, fushatë të cilat unë merrem për këto vite të tëra është fusha e arsimit, kulturës dhe sportit, pra do të jem shumë aktive në këto fusha për ngritjen e politikave në këto fusha”, ka thënë ajo.

Për sa i përket rivalëve të LDK-së, Dumoshi u shpreh se, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë përdorur popullizmin për të fituar, por qeverisja e tyre gjatë katër viteve të fundit nuk ka sjellë rezultate konkrete.

“Do të jetë një betejë mjaftë e madhe e kryetari Lumir Abdixhiku sigurisht që do ta përmbys Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin, sidomos me popullzimin që gjithmonë e kanë fituar. Por gjatë këtyre katër viteve në qeverisje është parë që gjithçka ka qenë mashtrim, ne e shohim çdo ditë në terren kemi takim me qytetarët dhe i prekim edhe të arriturat e kësaj qeverie por asnjë të arritur nuk shihet në horizont. Andaj do të jetë mbështetja e madhe për LDK-në i cili do ta udhëheq si kryeministër i ardhshëm do të jetë Lumir Abdixhiku”, theksoi ajo.

Të ngjashme