Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq do ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit të ardhshëm, mirëpo nuk pritet që të ketë ndryshime të qëndrimit rreth kufirit.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë se Mali i Zi e ka kryer çështjen e përcaktimit të vijës kufitare me Kosovën.
“Nuk e di çfarë zgjidhje mund të ofrojë Kryeministri i Malit të Zi kur ata veç e kanë përfunduar këtë tematikë. Për Malin e Zi kjo tematikë është e mbyllur dhe vetëm pritet që Kosova ta ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare të cilën e kanë realizuar ata”, tha ai.
“Unë nuk e besoj që ata do të vijnë për zgjidhje. Më tepër e shoh si një lojë politike të kryeministrit aktual për të thënë që: e ftova, provuam me bisedu dhe si duket zgjidhja e vetme është prapë marrëveshja e vjetër”, tha Selmanaj për RTV21.
Ai thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi po zvarritet qëllimisht.
“Kur i dëgjoj deklaratat qoftë të kryeministrit qoftë të tjerëve duke thënë se akoma s’na ka ardhë nga komisioni ta merr mendja që komisioni parlamentar dhe Kryesia e Kuvendit janë në një largësi qindra-mijëra kilometra”, tha Selmanaj.
“Kryesia po të kishte interesin e saj për ta trajtuar këtë tematikë ka mund brenda ditës apo të nesërmen ta vendosë në rend dite dhe ta trajtojë”, theksoi ai