Në kushtet kur financat e OKB i shkaktojnë dhimbje koke të gjithë drejtuesve, diskutohet edhe buxheti i misioneve paqeruajtëse. Mes tyre edhe buxheti i UNMIK-ut.
Për misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, buxheti kap nivelin e 37,2 milionë dollarëve. “Misioni vazhdon për fuqizimin dhe konsolidimin e paqes, sigurisë dhe zbatimin e ligjit në Kosovë dhe rajon,”është argumentimi duke shtuar se “misioni do të vazhdojë aktivitetet për zbatimin e mandatit sidomos promovimin e krijimit të besimit ndërkomunitar”. Po ashtu “në mbjelljen e pemëve dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjes”.
Serbia kërkon që buxheti të mos ndryshojë
Përfaqësuesja e Serbisë, Jelena Plakaloviq, theksoi rëndësinë e madhe të prezencës së UNMIK-ut në “Kosovë dhe Metohi”. Sipas saj, objektivat kryesore të misionit nuk janë arritur, përfshirë kthimin e serbëve dhe të joshqiptarëve të larguar nga Kosova. Duke folur për sulmet me motive etnike mbi personat e zhvendosur, përfaqësuesja e Serbisë tha se “prezenca e misionit është e rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit”. Ajo insistoi në mosndryshimin e buxhetit, në mënyrë që misioni të përmbushë mandatin. Lidhur me 24 vende të pazëna pune, ajo tha se Sekretari i Përgjithshëm duhet të ndërhyjë për zënien e këtyre vendeve.
Komiteti i këshilltarëve për çështjet e buxhetit, ACABQ, një organ me 16 vende anëtare, që mblidhet tre here në vit, pati vlerësuar se 24 vende pune të pazëna për dy vjet rresht tek UNMIK, kërkojnë ri-evaluim të situatës dhe identifikim nëse ato duhen vërtet.
Misioni ka gjithsej 355 punonjës, të përbërë nga tetë vëzhgues ushtarakë, dhjetë police, 11 punonjës në Zyrën e çështjeve politike, 12 në Zyrën e çështjeve juridike, 19 për mbështetjen e komunave, 25 në Zyrën për zbatimin e ligjit, 6 këshilltarë politikë, 10 në zyrën e komunikimit, 4 në koordinimin ushtarak, 47 në Zyrën rajonale në Mitrovicë, 11 në zyrën e OKB në Beograd.
Nga 355 punonjësit, 112 janë staf ndërkombëtar dhe 219 janë punonjës vendas.