Bordi i Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, i cili shqyrtoi dhe miratoi sot një varg çështjesh, ndër të tjera diskutoi edhe informatën për mbylljen nga Inspeksioni i Komunës të dy fabrikave për përpunimin e vajrave.
Drejtori i kësaj Drejtorie, Hysni Ahmeti, tha se ato nuk po e respektojnë vendimin e organeve komunale, andaj inspektorët kanë intervenuar sërish dhe drejtuesit e njërës fabrikë janë ftuar në polici për shkeljet ligjore që kanë bërë, por të cilët me urdhër të Prokurorisë janë lënë të lirë, përkatësisht lënda ka shkuar në procedurë të rregullt hetimore.
Për fabrikën tjetër, drejtori Ahmeti tha, se ka bërë shkelje të rënda ligjore dhe se aty duhet të intervenojë policia e krimeve ekonomike, pasi që pronarët e fabrikës kanë mashtruar se janë në punë testuese, ndërsa kanë bërë prodhim të rregullt të produkteve.
Drejtori Ahmeti i njoftoi anëtarët e Bordit se inspektorët janë të vendosur që të ndërpresin ndërtimet pa leje, ani pse ai dhe inspektorët kanë pasur kërcënime nga ndërtuesit, për çka edhe është njoftuar policia e Kosovës. Ai kërkoi nga Policia e Kosovës që të jetë më e angazhuar dhe e përkushtuar për të mbështetur Inspeksionin Komunal për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje në Komunë.
Mbledhja u kryesua nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka.