Dy raketa nga Libani bien në Izrael, vjen menjëherë hakmarrja

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Dy raketa, të hedhura nga Libani, e goditën të mërkurën Izraelin, që u kundërpërgjigj me artileri në kohën e tensioneve të rritura rreth një sulmi të dyshimtë të Iranit ndaj një anije javën e kaluar.

Shërbimi ambulantor izraelit tha se nuk ka pasur pasoja në njerëz në anën izraelite të kufirit, ku raketat shkaktuan zjarr në shkurre, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin me raketa. Raketat u hodhën nga jugu i Libanit, që është nën ndikimin e militantëve të Hezbollahut, grup i përkrahur nga Irani.

Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha se tri raketa u hodhën nga Libani. Njëra prej tyre nuk e kaloi kufirin, ndërsa dy të tjera ranë brenda territorit të Izraelit. Dëshmitarët në Liban gjithashtu thanë se disa raketa janë hedhur në drejtim të Izraelit.

“Si reagim, forcat artilerike e sulmuan territorin libanez”, tha ushtria izraelite. Rreth dy orë pas sulmit fillestar, ushtria tha se ka sulmuar përsëri në disa caqe përgjatë kufirit.

Në anën tjetër, ushtria libaneze tha se sulmet hakmarrëse izraelite, të cilat prekën disa fshatra në jug të Libanit, kanë shkaktuar një zjarr në qytezën Rashaya al-Fokh.

Të ngjashme