Dy shkolla do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale në kodim

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 15:26 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

British Council, në partneritet me MAShTI-n, mbajtën ceremoninë e shpalljes së fitueseve se tre projekt-ideve më të mira për Sfidën e Kodimit në kuadër të programit Shkollat e Shekullit 21, programi më i madh arsimor në Ballkanin Perëndimor.

Fitues i vendit të parë është shkolla “Dëshmorët e Vitisë”, vendi i dytë shkolla “7 Marsi” nga  Drenasi dhe fitues i vendit të tretë shkolla “Emin Duraku” nga Kaçaniku.

Dy nga fituesit do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale të kodimit që do të mbahet në Tiranë në nëntor. Pas kësaj fituesi i zgjedhur atje do të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare në Londër.

Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,  Hykmete Bajrami, tha se ndjehet e lumtur që nxënësit e shkollave të Kosovës, kanë realizuar projekte interesante.

“Ndjehem e lumtur që kam rastin të marrë pjesë në sfidën e kodimit. Nxënësit e shkollave tona kanë realizuar projekte interesante përmes pajisjes ‘micro bit’ në kuadër të programit  Shkollat e Shekullit 21.” , tha ajo.

Bajrami tha se arsimi është një nga prioritetet kyçe të qeverisë.

“Siç e dini arsimi është nga prioritet kyçe të qeverisë sonë dhe çdo aktivitet që ka për qëllim rritjen dhe avancim në arsim, shkencë, teknologji dhe inovacion do të mbështet forte nga ne”, tha ajo

Ajo tha se ky program është ndër iniciativat më të rëndësishme.

“MAShT-i  e konsideron programin si një nga iniciativat më të rëndësishme  në arsimin fillor,  të mesëm dhe të ulët, me qëllim të avancimit të dijes së nxënësve. Përmes teknologjisë ne mund të arrijmë te inovacionet të cilat mund të përmirësojnë mënyrë se si ne bashkëveprojmë me njëri – tjetrin dhe si të zgjedhim sfidat e tanishme e ato që na presin në të ardhmen.”, tha ajo

Ajo tha se investimi në shkathtësitë digjitale , mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve është tepër i rëndësishëm për nxënësit tanë.

Ajo u zotua se gjatë mandatit të saj,  do të fus në kurrikilë  në ciklin e ulët fillor lëndën e kodimit

“ Që lënda e kodimit të futet në kurrikilë qysh në ciklin e ulët fillor. Premtoj se do ta realizoj gjatë mandatit. “, theksoi ajo.

Ministrja i uroi fituesit  në vendin e parë  dhe shfaqi përkushtimin e Ministrisë, për t’i mbështetur.  

Angus Bjarnason, drejtor i British Council në Kosovë theksoi se çdo person i ri duhet të ketë qasje në arsim cilësor.

“Ne besojmë se një i ri kudo që jeton do të ketë qasje në arsim cilësor,  që mbështet zhvillimin e tyre personal dhe akademik krahas fitimit të përftimit të shkathtësive të reja të cilat do jenë shumë të rëndësishme për suksesin e tyre në të ardhmen.”, tha ai

Ai tha se në mbarë botën ndajmë sfidat e përbashkëta për të siguruar që nxënësit janë të pajisur me njohuritë e duhura në jetën e tyre

“Larg në listën e vlerësimit punëdhënësit thanë se kanë nevojë për punëtorë që janë të shkathët dhe të aftë të zhvillojnë talent për të gjetur ide kreative dhe të reja.  Shkollat e këtij shekulli kanë për qëllim të mbështesin shkollat,  për të krijuar një mjedis të mësimnxënies”, tha ai.

Bjarnson  tregoi se dy ekipet e para do të kenë mundësi të përfaqëosjnë Kosovën në sfidën rajonale të kodimit që do të mbahet gjatë këtij viti.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë në Kosovë Nicholas Abbott tha se ky program është partneriteti më i rëndësishëm në arsim.

“Të dashur nxënës është kënaqësi për mua të shoh nga afër kreativitin tuaj në këtë sfidë të kodimit.  Është partneriteti më i rëndësishëm në arsim ndërmjet  Britënisë dhe Kosovës. Ne po punojmë së bashku sepse këto janë aftëiste që i duhen nxënësve si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Kosovë, përfshijnë mendimin kritik dhe kodimin”, tha Abbott.

Ai tha se shkolla është një program shumë i rëndësishëm dhe se po punojnë për një ambinet ku nxënësit përfshihen në procesin e mësimit.

“Në Kosovë po bëhet për herë të dytë shpresoj të jetë i suksesshëm si herën e kaluar”, tha ai duke shtuar se fituesit do përfaqësojnë denjësisht Kosovën në sfidën rajonale.

Programi “Shkollat e shekullit 21” është një program arsimi tre vjeçar, i zbatuar nga British Council dhe ka për qëllim të zhvillojë shkathtësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme