Dy të vrarë në urën e Krimesë

Prishtinë | 17 Kor 2023 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Të paktën dy vetë kanë humbur jetën në urën e Krimesë. Autoritetet ruse kanë akuzuar Ukrainën. Kievi kundërshton dhe akuzon palën ruse për provokime.

Trafiku në urën që lidh Rusinë me Krimenë është ndaluar për qarkullim, pas një shpërthimi të ri atje. Përfaqësuesit e autoriteteve ruse njoftuan se atje është një “situatë emergjente”. Të paktën dy vetë vdiqën gjatë sulmeve, bëri të ditur kryetari i parlamentit të Krimesë, i emëruar nga Rusia. Ai akuzoi “regjimin terrorist” të Ukrainës se qëndron pas këtij incidenti me viktima në njerëz. Nga ana tjetër, Ukraina fajëson palën ruse për një “provokim tjetër rus”.

Dy shpërthime në urë gjatë natës

Sipas një kanali afërt me “Wagnerin” në Telegram, ka pasurdy sulme mbi këtë urë gjatë natës së kaluar – në orën 03:04 dhe 03:20 sipas kohës lokale atje. Pamjet e postuara në këtë kanal tregojnë një pjesë të shembur të urës dhe një makinë të dëmtuar.

Sipas burimeve të ndryshme, nga shpërthimet kanë humbur jetën dy persona. Sipas guvernatorit të rajonit të Belgorodit në Rusinë jugore, Vyacheslav Gladkov, ata janë prindër të një vajze e cila gjithashtu u plagos.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi të hënën Ukrainën për kryerjen e këtij sulmi në urën që lidh Rusinë dhe Krimenë. Ajo akuzoi për përfshirje në këtë sulm edhe Britaninë e Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ukraina: Provokime të tilla janë tipike

Sipas ushtrisë ukrainase, incidenti mund të jetë një provokim nga Rusia. Provokime të tilla dhe publiciteti i tyre i zhurmshëm janë tipike, tha Natalia Gumenyuk, zëdhënëse e Komandës Ushtarake Jugore të Ukrainës.

Ky incident ka ndodhur në ditën e skadimit të Marrëveshjes që lejon eksportin e grurit nga portet e Ukrainës përmes Detit të Zi. Deri tani nuk është e qartë nëse kjo Marrëveshje do të vazhdohet, pasi që pala ruse ende nuk e ka konfirmuar zgjatjen e saj. 

Të ngjashme