Për dy rastet e vrasjeve në Suharekë, Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarve
Lajmi është bërë i ditur për Ekonomia Online, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.
“Prokuroria në Prizren pas pranimit të kallëzimit penal nga ana e IPK-së, për të dyja rastet kanë dorëzuar kërkesë në Gjykatë, për paraburgim”, tha Shala.
“Kemi pranuar kallëzimet penale, të dyshuarit, për vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi dhe përdorim i paautorizuar i armëve”, shtoi Shala për Ekonomia Online.
Njëri rast ka të bëjë për rreshterin e policisë Sh.S., i dyshuar për vrasjen në Suharekë.
32-vjeçari nga Mushtishti i Suharekës është vrarë dje në mëngjes në një kazino të qytetit, ku po punonte.
Rasti tjetër, ka të bëjë me vdekjen e një burri dhe plagosjen e një grua, në një incident ndërmjet vëllezërish në Studençan të Suharekës.
Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, incidenti duket se ndërlidhet me mosmarrëveshje për pronën.