Dyshimet për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve, LDK: Organet përgjegjëse të zhvillojnë hetime të pavarura

Prishtinë | 20 Jan 2023 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës në përgjithësi dhe anëtarësinë e saj në veçanti për përkrahjen dhe qetësinë e treguar deri më tani lidhur me informimin për planifikimin e atentateve ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të LDK-së.

Po ashtu LDK-ja falënderon partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë lidhur me këtë rast.

LDK-ja u bën thirrje organeve kompetente që, në përputhshmëri me seriozitetin e situatës, në të cilën cak potencial janë katër përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, të zhvillojnë hetime të pavarura dhe të ruajnë profesionalizmin, si dhe diskrecionin lidhur me këtë proces hetimor

Ndryshe, ditë më parë u raportua për një kërcënim ndaj Lumir Abdixhiku, Abdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

E të enjten lideri i LDK-së tha se nuk ndihen absolutisht të kërcënuar.

“…Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar. Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit janë duke u marrë me këtë çështje… Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt” , ishte shprehur Abdixhiku i LDK-së.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala të mërkurën mbrëma kishte thënë se atentati ishte planifikuar për arsye politike dhe se në plan për atentat janë të përfshira dy organizata.

Të ngjashme