Në seancën ku iu caktua paraburgimi për vrasjen e Mentor Zekajt, Kreshnik Haliti i dyshuari për këtë vrasje tha se “ka lindur për së dyti”.
Në Gjykatën Themelore të Pejës, i dyshuari për vrasjen e para dy ditëve në Pejë shprehu keqardhje për atë që ndodhi.
“Unë kam lindur për se dyti atë ditë”, ka thënë Haliti, raporton Kallxo.com. Nuk qartësohet pse Haliti e bëri këtë deklaratë, por duket se ai pretendon se ka qenë i rrezikuar nga tashmë viktima.
Avokati i tij mbrojtës, Bahri Troshupa, ka kërkuar që t’i bëhet ekspertizë armës dhe gjurmëve të gishtërinjve në të, pasi sipas tij, kjo armë është e viktimës.
Kreshnik Haliti doli sot para gjykatës si i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të Mentor Zekajt që ndodhi në Pejë të hënën.
Në seancë, prokurori Ardian Hajdaraj kërkoi paraburgim për Kreshnik Halitin, teksa e lexoi kërkesën për këtë masë sigurie.
Prokurori tha se Haliti kreu veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa deklaroi se në bazë të provave të prezantuara motivet e vrasjes lidhen me përfitime pasurore.
Familjarët e të vrarit Mentor Zekaj thanë dje për KALLXO.com se vrasja ndodhi për shkak të një borxhi.
Prokurori Ardian Hajdaraj tregoi se tash i ndjeri Mentor Zekaj pardje lëvizte me makinën e tij “Toyota” në Lagjen “Fidanishte” të Pejës kur u ndalua nga i dyshuari Kreshnik Haliti që pastaj kishte hyrë në veturë.
“Pasi ka hyrë në veturë i dyshuari, gjatë bisedës me viktimën ka filluar konflikti, ku viktima (Mentor Zeka) me pas ka tentuar për të ikur nga vendi i ngjarjes, por me pas është privuar nga jeta me revole nga i dyshuari (Kreshnik Haliti)”, tha prokurori Hajdaraj.
Prokurori më tutje deklaroi se i dyshuari mori më pas veturën e viktimës dhe iku nga vendi i ngjarjes.
Por Bahri Troshupa, avokati i Kreshnik Halitit kundërshtoi propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit dhe kontestoi versionin e vrasjes që e dha prokurori në kërkesën e tij.
“Kërkesa është e pabazuar, sepse nuk qëndron konstatimi i këtij përshkrimi nga prokuroria. Përshkrimi i rastit nuk përkon me realitetin. E vetmja bazë është se ka pësuar një person”, tha avokati Troshupa.
Ai kërkoi që t’i bëhet ekspertizë armës dhe gjurmëve të gishtërinjve në të, pasi sipas Troshupës kjo armë është e viktimës.
KALLXO.com mori vesh nga gjyqtari i procedurës paraprake Sylë Lokaj se Kreshnik Halitit i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.