Kampioni evropian nuk mund të llogarisë në shërbimet e golashënuesit më të mirë të klubit që t’i nxjerr nga kriza dhe dita ditës po bie në greminë. Në një analizë, Goal ka treguar përse ylli Cristiano Ronaldo është mungesë e madhe për klubin spanjoll.
Real Madridi sivjet është larg sezonit që përjetuan në po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përse është kaq ndryshe? Pse nuk po funksionon për trajnerin Julen Lopetegui? Përse është i pashpresë ky sezon për Madridin edhe pse është herët?
Dy tituj e Ligës së Kampionëve dhe një në La Liga mjaftonte për Zinedine Zidane që të kishte përkrahjen e presidentit Florentino Perezit dhe tifozëve, në një periudhë krize që po kalonte ekipi.
Sado keq që Real Madridi dukej në vjeshtën e vitit të kaluar, kishte besim se gjërat do të ktheheshin për të mirë në pranverë dhe do të kishin mundësi që ta fitonin edhe një herë trofeun e Ligës së Kampionëve, transmeton Koha.net.
Kështu ndodhi. Ajo që fillimisht shihej si fillim i tmerrshëm i sezonit u kthye në sukses. Kjo ndodhi disi duke iu falënderuar gabimit qesharak të Loris Kariusit dhe momentit kur Gareth Bale realizoi golin me gërshërë. Nga një moment katastrofe të sezonit çdo gjë u shndërrua në titullin e 13 të Ligës së Kampionëve.
Madridi doli kundër parashikimeve – shpesh – me fuqinë edhe të disa lojërave individuale të lojtarëve.
Mos të harrojmë se në çfarë krize ishte Reali në fillim – kundër Valencias, Levantes, Real Betisit, Gironas dhe Tottenhamit. Ndeshje që u luajtën gati një vit më parë. Kishte raportime se Zidane po shkarkohej dhe që Madridi duhej të përqendrohej në La Liga ose në Ligën e Kampionëve.
Por trofetë kanë të njëjtin efekt siç ka “fshirësi i memories” në filmin “Men In Black”. Secili moment pas ngritjes së trofeut harrohet.
Tani, Lopetegui nuk ka besimin e fansave, të Perezit. Nuk mund të mbështetet te sukseset si trajner dhe te marrëdhëniet e mira me lojtarët dhe insiston se me qetësi gjithçka do t’i kthehet normalitetit.
Nuk e ka as Cristiano Ronaldon.
Duhet të rikujtojmë se gjatë periudhës së dobët të Madridit sezonin e kaluar, ata nuk e kishin Ronaldon. Shkaku i sjelljeve të këqija në Superkupë kundër Barcelonës kur e shtyu gjyqtarin për t’u dënuar me katër ndeshje mos lojë.
Pa Ronaldon Madridi lëshoi pikë dhe e mori vesh se si do të dukej jeta pa golashënuesin më të mirë të klubit. Fatmirësisht për Zidanen dhe Madridin, Ronaldo ishte i gatshëm për Ligën e Kampionëve, garë në të cilën realizoi shumë gola, transmeton Koha.net.
Përveç ndeshjes kundër Tottenhamit në Wembley, Real Madridi nuk kishte probleme në Evropë që Ronaldo nuk mund ta ndreqte.
Doli në skenë me gola të rëndësishëm kundër Borussia Dortmundit, PSG-së dhe ju kujtohet ndeshja e jashtëzakonshme kundër Juventusit. Strategjia e Realit sezonin e kaluar duket se ishte që Sergio Ramosi të bllokonte sulmet dhe Ronaldo të shënonte në portën tjetër.
Lopetegui tentoi që të largohej nga ky stil i mbijetesës që e krijoi Zidane dhe tani po e paguan çmimin. Madridi mund të ketë kontroll të lojës më shumë, por kanë pasur armë të dobët në sulm.
Filloi mirë me Karim Benzeman, Gareth Bale dhe Marco Asension, por kjo strategji dështoi. Madridi bën shumë pasime para mbrojtjes kundërshtare dhe e ka të pamundur të krijojë raste.
Gjatë tërë karrierës me Realin, Ronaldo u akuzua që realizonte gola të lehtë. Në fakt, ishte pa gol nga gjysmëfinalja. Për pozitat tjera, Madridi kishte tjerë lojtarë për t’i mbuluar.
Por ata gola të thjeshtë që realizonte ai në ligë dhe në Evropë tani nuk janë askund në këtë sezon. Nuk kanë ndonjë lojtar që ka kontribut më të madh. Nëse e kishin të lehtë të realizonin gola si Ronaldo, përse sulmuesit e Madridit janë në formë të dobët sivjet?
Lëvizjet e Ronaldos në zonë nuk krahasohen dhe kanë qenë pikë kyçe në karrierën e tij. Nuk lëshonte rast.
Derisa Zidane po jetonte në presion, kishte rehatinë sepse e dinte që Ronaldo do ta largonte nga problemet.
Këtë garanci të golave Madridi preferoi ta shiste gjatë verës. Derisa i mirëpriti paratë e majme për një 33-vjeçar, asnjë monedhë e asaj shume nuk ka realizuar gol.
Ata po tregohen të guximshëm me deklarata për largimin e tij. Isco dhe Toni Kroos këto ditë pohuan se klubi e ka harruar Ronaldon, por nuk ka dyshim se mungesa e tij po i dëmton, por nuk duan ta pranojnë.