Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka marrë vendim që afati për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje të vazhdohet për 12 muaj, pra deri më 04 shtator 2021 në mënyrë që qytetarëve t’iu mundësohet kohë shtesë për të dorëzuar aplikacionet për legalizim.
Duke parë situatën në terren, ky vendim ka ardhur si rezultat i nevojës për kohë shtesë për të arritur qëllimin e Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe duke përfshirë këtu faktin se komunat vazhdojnë të punojnë me kapacitete të limituara për shkak të pandemisë, si dhe rrethanave tjera që kjo situatë ka shkaktuar në tërësi.
Vendimin e plotë për vazhdimin e afatit për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje i nënshkruar nga ministri i MEA-së, Blerim Kuçi mund të gjendet në linkun e Gazetës Zyrtare më poshtë dhe të bashkëngjitur në këtë e-mail.
Programi i Qeverisë së Kosovës për trajtimin e ndërtimeve pa leje (programi i legalizimit) është një iniciativë e rëndësishme që pritet të prodhojë përfitime të prekshme për qytetarët e Kosovës, përfshirë këtu përmes sqarimit të të drejtave pronësore përmes regjistrimit në Kadastër dhe në Regjistrin e të Drejtave në Pronë të Paluajtshme (RDPP) dhe duke e zhbllokuar kapitalin aktualisht të kyçur në ndërtimet pa leje, që do të mund të përdoret për të nxitur rritjen ekonomike.