Edhe Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-udhëheqësit të Spitalit në Ferizaj i cili akuzohej për korrupsion

Prishtinë | 09 Shk 2025 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila kishte liruar nga akuza për korrupsion ish-ushtruesin e detyrës së Spitalit Rajonal në Ferizaj, Halit Gërbeshi.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj- Departamenti për Krime të Rënda…, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Pretendimet e palëve:

Gjykata Themelore në Ferizaj më 20 dhjetor 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit në Ferizaj, Halit Gërbeshi, i akuzuar për korrupsion.

Ndaj vendimit të Themelores, kishte paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Ferizaj për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

Ndaj kësaj ankese, ka parashtruar përgjigje mbrojtësi i Gërbeshit, avokati Salih Gjonbalaj, duke propozuar që vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj të vërtetohet, ndërsa ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të aprovohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, ndërsa përgjigja në ankesë e avokatit Gjonbalaj të refuzohet si e pabazuar.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Sipas Apelit, vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që do të kishin kushtëzuar anulimin e tij.

Shkalla e dytë ka sqaruar se në vendimin e Themelores janë paraqitur arsyet se cilat fakte janë vërtetuar dhe cilat fakte janë konsideruar të pavërtetuara, përkatësisht cilat fakte janë vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve, si dhe nga përmbajtja e provave materiale, duke dhënë arsye me rastin e zgjedhjes së çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të mosekzistimit të veprës penale të ushtrimit të ndikimit, si dhe faktit se nuk është vërtetuar që Gërbeshi ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të pabazuar, Apeli e ka gjetur pretendimin e Prokurorisë se shkalla e parë ka gabuar që ka refuzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes të akuzuarit dhe vetë Prokurorisë. Sipas Apelit, në vendim Themelorja ka dhënë arsyet e qarta pse nuk ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Apeli ka rikujtuar se deklarimet e të akuzuarit Gërbeshi gjatë negocimit lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë janë provë e papranueshme në shqyrtim gjyqësor dhe se Prokuroria në ankesë nuk ka ofruar asnjë rrethanë konkrete se refuzimi i marrëveshjes nga ana e Gjykatës përbën shkelje të çfarëdolloj natyre.

Tutje, Apeli ka gjetur se nga deklarata e dëshmitarëve rezulton se vendimi për shfrytëzimin e derivateve nga i akuzuari ka qenë një vendim kolegjial, që nënkupton se vendimi për përdorimin e derivateve nuk ka qenë i vet Gërbeshit, por i Këshillit Drejtues të Spitalit.

Apeli në vendim ka specifikuar se nga veprimet e të akuzuarit Gërbeshi mungon elementi qenësor i veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”, që është qëllimi për të fituar kundërligjshëm.

Gjithashtu, Apeli ka pranuar gjetjet e Themelores në Ferizaj se i akuzuari përdorimin e derivateve për veturën personale e ka bërë me qëllim të kryerjes së detyrave zyrtare (për nevoja të spitalit).

Apeli ka pranuar po ashtu edhe gjetjen tjetër të Themelores se një vlerësim përfundimtar mund ta japë organi administrativ, siç është auditori i brendshëm ose jashtëm për ekzistim apo jo të përgjegjësisë disiplinore, por jo edhe atë penale.

Lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi”, në vendim të Apelit thuhet se i akuzuari Gërbeshi nuk del të ketë pranuar asnjë dhuratë me qëllim të realizimit të vendimmarrjes dhe se kërkesa e Gërbeshit drejtuar zyrtares administrative që në vend të fjalës “kërkesë” të shënojë fjalën “vendim”, nuk përbën veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Sipas Apelit, edhe pretendimi i Prokurorisë për shkelje të Ligjjit Penal është i paqëndrueshëm dhe i paargumentuar, pasi shkalla e parë drejt e ka aplikuar këtë ligj kur e ka liruar të akuzuarin nga akuza, pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprat që i viheshin në barrë. Kështu, shkalla e dytë vlerëson se drejt është vërtetuar gjendja faktike, me arsyetimin se aktakuza nuk ka qenë e mbështetur në asnjë provë që do të vërtetonte se i akuzuari ka vepruar me dashje dhe me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim material apo personit të tretë me veprat penale.

Çka thuhej në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shtatori 2021 e deri në dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri Halit Gërbeshi, ngarkohej se në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.

Aktakuza thotë se i njëjti, në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Tutje thuhet se i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e ushhtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

Aktakuza thotë se me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Të ngjashme