“Edhe barë do të hamë”

Prishtinë | 15 Qer 2023 | 13:46 | Nga Besian Mustafa

Në nëntor 1961, kur Enver Hoxha në fjalimet e tij qortonte Hrushovin (Nikita Khrushchev), liderin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, se kishte devijuar nga marksizëm-leninizmi i vërtetë, e kur pra Shqipëria enveriste mbetej më marksist-leniniste se vet Rusia, vendlindja e vet Leninit, nga Tirana i dërgohet Rusisë një “selam” i sertë:

“Ne i themi Hrushovit se populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten ‘për 30 aspra’, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.”

30 asprat i referohen monedhave të argjendit që iu paguan Judas për ta tradhtuar Jesuin. 30 aspra ishte dhe çmimi i një skllavi atëbotë. Mesazhi ishte i qartë: Shqipëria enveriste, më marksist-leniniste se vet vendlindja e Leninit, nuk shitej e blihej me lekë, si një skllav, për të tradhtuar marksizëm-leninizmin!

Për gati 50 vjet Shqipëria enveriste-marksist-leniniste ngrëni bar. Nejse, Enveri, gruaja dhe fëmijët e tij hanin mish. Në fund Shqipëria, e izoluar edhe nga vet shtetet komuniste, e pazhvilluar, e varfëruar skajshmërish, e gërryer nga uria, u gjunjëzua. Shtatë vite më pas pati dhe luftë civile.

Sot, fatmirësisht, Shqipëria është shtet perëndimor, anëtare e aleancës ushtarake euro-atlantike, NATO, e miqësuar ngushtë me Amerikën dhe me aspirata për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Ndërsa Kosova… veç sa ka nisur të shoh drejt barit.

Të ngjashme