Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike në Holandë njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë regjistruar mbi 8.500 raste të reja të koronavirusit.
Kjo është shifra më e lartë e rasteve ditore në vendin e Evropës Perëndimore që nga fillimi i pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Numri i rasteve të reja në njërën ndër vatrat më të mëdha të koronavirusit në Evropë po vazhdon të rritet, gati një javë pasi qeveria vendosi masa të izolimit të pjesshëm, përfshirë mbylljen e bareve dhe restoranteve.
Ndërkohë në Francë, qeveria tha se disa rajone tjera do të futen nën statusin e paralajmërimit të kuq, që nënkupton se ato do të jenë të detyruara të vendosin orë policore.
Zëdhënësi qeveritar, Gabriel Attal, tha gjatë një konference për gazetarë se qeveria do të propozojë që gjendja e emergjencës të zgjatet deri më 16 shkurt të vitit të ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte se qeveria do ta rezervonte të drejtën për zgjatjen e orës policore që tashmë është në fuqi në qytetet më të mëdha të Francës.
Nga e shtuna, Parisi dhe qytete tjera të mëdha janë vendosur në orë policore nga ora 21 deri në 6. Kjo masë do të mbetet në fuqi për gjashtë javë dhe mund të zgjatet edhe për gjashtë javë shtesë.