Komuna e Prishtinës do të përballet javën e ardhshme me protesta që ndërlidhen me pakënaqësitë sociale të punëtorëve, që kryejnë shërbime në institucione publike që janë nën menaxhimin e saj.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ka paralajmëruar se do të protestojë javën e ardhshme para objektit të Komunës së Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me mospagesën prej katër për qind të rritjes së pagave për punëtorët teknikë të disa shkollave dhe QMF-ve të kryeqytetit, si dhe më kërkesën që shërbimet e privatizuara të rikthehen nën menaxhim të Komunës, shkruan sot Koha Ditore.
Në paralajmërimin për këto protesta, thuhet se vendimi vjen pas takimit me punëtorët teknikë të shkollave “ Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjergj Fishta”, “Dardania”, punëtorët e sigurimit në Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF), si dhe punëtorët e pastrimit të vetë objektit të Komunës.
“Në këto takime u diskutua për mospagesën e 4 për qindëshit të rritjes së pagave në sektorin publik, që u bë nga një janari i vitit 2018, dhe neglizhencën e Komunës për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e vet, bazuar në Ligjin për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar”, thuhet në paralajmërimin e Sindikatës për protestën.