Me nderime, homazhe dhe vendosje të buqetave me lule , aktivitete kulturore e artistike dhe zbulimin e busteve të Dëshmorëve Selajdin Mullabazi-Mici dhe Bekim Sylka, sot në Komunën e Rahovecit u shënua 9-vjetori i shpalljes së Pavarësisë të Republikës së Kosovës. Aktivitete kanë filluar që nga ora 8:00, me nderime dhe homazhe pranë varrezave dhe lapidareve të Dëshmorëve të rënë në gjithë territorin e Komunës së Rahovecit, nderime dhe homazhe janë bërë nga ana e kryetarit dhe stafit të tij pranë lapidarëve dhe varrezave të Dëshmorëve në qytetin e Rahovecit.
Pas nderimeve dhe homazheve aktivitetet kanë vazhduar me mbajtjen e akademisë solemne në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”, në akademi kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi me bashkëpunëtor, Vajdin Berisha kryetar i OVL e UÇK dega në Rahovec, familjar dhe bashkëluftëtar të Dëshmorëve.
Në fjalën e tij të mbajtur në akademi Kryetari Vehapi ka thënë se , ne jemi me fat që patëm djem e vajza , të cilët morën armët dhe i dolëm përballë armikut. Krisma e pushkëve të tyre u bë kushtrim lirie, për t’u bërë më pas fundi i të gjitha vrasjeve , poshtërimeve dhe dhunës që po ushtrohej mbi ne. Prandaj , do ti kujtojmë një nga një të gjithë ata që tashmë pushojnë në tokën për të cilën ranë .Lufta jonë vazhdon. Liri do të thotë edhe përgjegjësi . Ne që mbetëm të gjallë do të përdorim të gjitha forcat tona për paqe , mirëqenie dhe të ardhme më të mirë. Do të vëmë në dispozicion të shtet ndërtimit gjithë kapacitetet tona njerëzore , sepse kështu e sigurojmë ekzistencën e përjetshme të Atdheut .Ne jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë sfida , por siç ishim bashkë ndër shekuj , do të jemi bashkë edhe në kalimin e këtyre vështirësive duke punuar të gjithë për arsim dhe shëndetësi më cilësore , zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për familjet tona.
Nga një fjalë në akademi kanë mbajtur edhe Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovecit, Ali Hoxha drejtor i SHMLP “Selajdin Mullabazi-Mici” dhe Beatrisa Pista-Demiri, drejtoreshë e ShFMU “Bekim Sylka”
Aktivitetet kanë vazhduar në oborrin e ShMLP “Selajdin Mullabazi-Mici” ku është bërë zbulimi i bustit të Dëshmorit Selajdin Mullabazi-Mici dhe në oborrin e ShFMU “Bekim Sylka” ku është bërë zbulimi i bustit të Dëshmorit Bekim Sylka, në qytetin e Rahovecit.