Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe Zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), ishte në një vizitë dyditore në Prishtinë për të adresuar zhvillimet e fundit dhe hapat e ardhshëm urgjent.
Bashkë me udhëheqësit politik të Kosovës, përfaqësuesit e shoqërisë dhe të sigurisë, Eichhorst diskutoi agjendën e integrimit evropian të Kosovës pas miratimit të Strategjisë së re të Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe në kuptimin e raporteve të ardhshme vjetore të Komisionit Evropian, përfshi edhe për Kosovën, që do të publikohet më 17 prill.
“Populli i Kosovës në raport do të ketë mundësinë të lexoj një vlerësim nga dora e parë lidhur me përparimin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Çështjet e mbështetjes së legjislacionit ndërkombëtar, sundimit të ligjit, drejtësisë, transparencës, procesit të rregullt ligjor dhe gjykimit të drejtë, si dhe luftës kundër krimit të organizuar janë elemente të rëndësishme kundrejt të cilave do të matet progresi. Duke mbetur e përkushtuar ndaj agjendës së BE-së, si orientim i saj strategjik, Kosova mund të presë bashkëpunimin konstruktiv, efektiv dhe të frytshëm me BE-në dhe rajonin në tërësi”, tha Eichhorst.
Ajo përmendi rëndësinë e votimit të suksesshëm në Kuvend, me të cilin u ratifikua marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një hap i pritur gjatë dhe i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Ajo gjithashtu mirëpriti punën pozitive lidhur me legjislacionin e fundit të miratuar në Kuvend. “Sinjali i funksionimit të institucioneve solide është shumë i nevojshëm, në raste kur ka pyetje, gjithashtu në mesin e popullatës këtu dhe jo vetëm në Bruksel, dhe kur mençuria, besimi dhe lidershipi janë thelbësore”.
Theks i veçantë i është dhënë dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ngjarjeve të fundit në Mitrovicë, me të cilat ishte vënë në rrezik siguria e kryenegociatorit të Serbisë dhe e shumë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në veri.
Eichhorst nënvizoi se çfarëdo mosmarrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të adresohet dhe zgjidhet në mënyrë paqësore në dhe përmes Dialogut dhe theksoi nevojën urgjente për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin / Bashkësinë e komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme”, tha ajo.
Në këtë drejtim, Eichhorst përshëndeti ngrohtësisht njoftimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj për fillimin e punës së Ekipit Menaxhues. “Ne tash do të ftojmë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, si dhe Ekipin Menaxhues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit”, tha ajo.
Eichhorst gjithashtu përmendi vonesën në zbatimin e marrëveshjes së energjisë dhe rikujtoj nevojën urgjente për të lejuar që Kosova të jetë pjesë e mekanizmave regjional të transmetimit të energjisë elektrike.
Sa i përket arrestimit dhe dëbimit të paradokohshëm të gjashtë shtetasve turq me qëndrim të ligjshëm në Kosovë dhe hetimit pasues të iniciuar nga Kryeministri Haradinaj, Eichhorst tha se ky ekstradim ngriti shumë pyetje në Bruksel mbi procesin e duhur, transparencën dhe drejtësinë. “Në përputhje me vendosmërinë e Kosovës për të punuar së bashku për një të ardhme të lirë dhe demokratike, siç përcaktohet edhe në MSA, të gjitha veprimet e institucioneve janë të kushtëzuara nga respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe promovimi universal i respektimit dhe ndjekjes së rregullave dhe normave ndërkombëtare edhe kur është fjala për ekstradimin”.
Në fund, zotimi i vazhdueshëm i Kosovës në Dhomat Speciale demonstron guxim dhe vendosmëri për të bërë përparim të mëtejshëm drejt integrimit në BE dhe për të bërë përpjekje të sinqerta me synim për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin. Gjatë takimeve, gjithashtu u trajtua edhe roli i EULEX-it për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të sundimit të ligjit, duke krijuar një sistem gjyqësor shumë-etnik, të lirë nga ndërhyrjet politike.