Ekipi negociator në Bruksel për të takuar Mogherinin

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet të takohen të martën në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociajançiq, të hënën, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, është ftuar nga Bashkimi Evropian për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka ftuar delegacionin nga Kosova të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, ka thënë Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, para udhëtimit për në Bruksel, u kanë thënë mediave se takimi i paralajmëruar për datën 8 janar, është më tepër i natyrës konsultative.

Siç është thënë ky takim ka për qëllim njoftimin e Brukselit zyrtar me delegacionin e Kosovës, përkushtimin dhe qëndrimin për dialogun, si dhe shpërfaqjen e ideve për platformën e dialogut. Gjithashtu, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator kanë theksuar edhe pritjet që kanë nga Brukseli zyrtar, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, që të paraqesë pikëpamjet mbi pjesën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefja e BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi në Bruksel.

Më herët, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë shprehur besimin që rezultati i dialogut të Brukselit duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që do të mundësonte edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Formimi i Ekipit negociator ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta zbehë rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim” të kufirit, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga partitë në opozitë.

Më 15 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, më 24 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisn, të cilin pritet ta dërgojë për miratim në Kuvend. Por, dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kanë dhënë mbështetjen as rezolutës për dialogun e as Ekipit negociator.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme