“Boll ma” – bizneset e gastronomisë ia zënë derën Qeverisë, paralajmërojnë protesta masive

Prishtinë | 15 Dhj 2021 | 13:39 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (ShGK) dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHTK) kanë protestuar para Qeverisë, me moton “Boll ma”, raporton Ekonomia Online.

Ata iu kanë bë thirrje institucioneve që t’i lirojnë masat dhe kufizimet që i janë këtij sektori.

Gastronomët dhe hotelierët thanë se durimit të tyre i ka ardhur fundi, duke theksuar se Qeveria e Kosova po i mbyll pa u dhënë asnjë ndihmë.

Kryetari i Odës dhe Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva, tha se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër edhe pse vazhdimisht kanë bërë thirrje për takime e biseda me krerë të institucioneve.

Ai tha se mbi 60% e stafit janë të vaksinuar me dy dozat, duke kërkuar zgjatjen e orarit të punës dhe lejimin e mbajtjes së dasmave.

“Për t’i shmangur protestat i jemi drejtuar Qeverisë disa herë, por kemi hasur në vesh të shurdhër. Sot kërkojmë lirimin e masave të fundit. Përderisa pushtetarët po mbajnë darka, duke zgjatur orarin e tyre, neve nuk na lejohet të punojmë. Ku është e drejta këtu. 60% janë të vaksinuar me dy doza. Jemi të imunizuar”.

“Gjendja e pandemisë ende s’ka përfunduar, por bota po funksionon. Iu bëj thirrje institucioneve të na lejojnë të punojnë. Kërkojmë të zbatohen këto kërkesa dhe të bëhet zgjatja e orarit në ora 01:00 dhe të lejohet të mbahen dasmat”.

Sogojeva tha se nëse vazhdohet me këtë qasje nga Qeveria, prej 17 mijë bizneseve nuk kanë me mbetë as gjysma e tyre.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, kërkoi lirimin e masave kufizuese, përndryshe paralajmëroi veprime më të ashpra.

“Ne sot ish dashtë m’i prit mërgimtarët. Ne nuk kemi dashtë m’i mbyll bizneset tona. Na nuk jemi të dhunës, po të punës. Qe 3 muaj nuk na kanë kthyer e-mail Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave. Marre!”.

“Ju lus që tash të shpërndahemi të qetë… Por i paralajmërojmë se protesta e radhë do të jetë ndryshe”, u shpreh Kllokoqi.

Ndërsa sekretari i Shoqatës së Gastronomisë, Arian Vranica, tha se janë mbledhur këtu që t’iu thonë “Boll ma” atyre që nuk po i lejojnë të punojnë. “Durimit tonë i ka ardhur fundi”.

“Me pandemi jemi qe 21 muaj duke u ballafaquar me probleme te punëtoreve. Qe 3 muaj jemi të vaksinuar, e kjo Qeveri po na mban të izoluar. Na i keni humbur punëtorët. Nuk ka vend për të mbyllur e të njëjtin nuk e zbaton. Qytetarët po marrin pjesë në festivale të tjera. Qytetarët po marrin pjesë në rajon ku janë më të dobët se ne në procesin e vaksinimit”.

“Na keni premtuar që nëse 60% e popullatës vaksinohen ne do të hapemi i’u s’po i zbatoni. Qeveria po na mban mbyll e nuk po na përgjigjen. Boll ma. Përderisa nuk ka subvencionim ne do të hapemi. Përderisa nuk ka kompensim ne do të hapemi. E nëse i’u nuk merrni vendim ne i’u përgjigjemi njëjtë siç jeni përgjigjur në fushata. Këto kërkesa po i bëjmë për shkak të përgjegjësisë ndaj punëtorëve tanë. O do t’i pranoni kërkesat o do të hapemi vetë”.

Këngëtari Afrim Muqiqi, drejtor i Departamentit të Estradës në OHT tha se nëse nuk lirohen masat deri të premten do të marrin edhe familjet e tyre e do të dalin në protesta, raporton EO.

“Mos na detyroni të trefishohet ky numër t’i marrim familjet tona. Kërkojmë deri ditën e premte të përfillen kërkesat tona. Boll mo, boll mo”.

“Ne jemi vetëm përfaqësues të bizneseve. Asnjë parti nuk i ka respektuar masat na i kanë zënë sallat e dasmave. Kërkojmë drejtësisht të shqyrtohen kërkesat tona dhe të lirohen të gjitha bizneset”, theksoi Muçiqi.

Të ngjashme