“Çohu”: KEK-u, institucioni që shpenzon më së shumti paranë publike

Prishtinë | 02 Nën 2018 | 12:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Çohu” dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese Preportr kanë publikuar hulumtimin e titulluar “Shumë tenderë pak kontroll” për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas Leonida Molliqajt nga Qendra Preportr, KEK-u është institucioni që shpenzon më së shumti paranë publike.

Sipas të gjeturave, gjatë viteve 2007 dhe 2017 KEK-u ka pasur mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik të cilat kanë kapur vlerën mbi 1.3 miliard euro.

Molliqaj ka treguar  se shumë kompani nga KEK-u janë penalizuar për mosrespektim të kontratave, por që përsëri kanë marrë tenderë në këtë institucion.

Molliqaj ka thënë se KEK-u është institucioni publik ndaj të cilit parashtrohen më së shumti ankesa nga operatorët ekonomik lidhur me shkeljen e Ligjit të Prokurimit, në anën tjetër, sipas saj, vet kjo ndërmarrje disa herë nuk i ka respektuar vendimet e OShP-së.

Gjatë viteve 2010- 2017 KEK-u ka penalizuar 163 kompani për mosrespektim të kontratave, por ato prapë kanë fituar tenderë.

“Gjatë viteve 2008 -2017, Operatorët Ekonomikë kanë ushtruar afër 381 ankesa në OShP ndaj KEK-ut. Nga këto ankesa afër 50 për qind e tyre kanë shkuar në rivlerësim apo ritenderim”, thuhet në raport.

Sipas Isak Kerollit, drejtor ekzekutiv në zyrën e prokurimit në KEK, procedurat e penalizimit janë të rregulluara me kontratë dhe në shumicën e rasteve autoriteti kontraktues më shumë preferon të penalizojë kompaninë në rastet e mosrespektimit të kontratës sesa t’i shkëpusë atë, me arsyetimin e dëmit buxhetor që mund të shkaktojë anulimi i një procedure të prokurimit.

“Dëmi nuk mund asnjëherë të kompensohet. Ne kemi raste ku gjendemi para vendimit se a duhet ta shkëputimin një kontratë ku dëmi do të ishte edhe më i madh, apo të panalizojmë”, ka thënë ai.

Kerolli thotë se KEK-u si autoritet kontraktues nuk mund t’ia ndalojë asnjë kompanie të ofertojë në aktivitete të prokurimit, përderisa kompania nuk është në listën e zezë.

“Nuk mundet autoriteti kontraktues me e futë një kompani në listë të zezë por mund ta rekomandojë për listë të zezë. Ne si autoritet kontraktues kemi me dhjetëra rekomandime për lista të zeza. Derisa nuk është në listë të zezë sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nuk mund t’ia ndalojmë të ofertojë në aktivitetet e ardhshme”, ka thënë ai.

Për Diana Krasniqin nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është jashtëzakonisht e rëndësishme që kompanitë të cilat janë treguar të papërgjegjshme në realizim të kontratave të ndëshkohen në procedurat e ardhshme të prokurimit. Sipas saj mungojnë dispozitat ligjore që kërkojnë që secila kontratë të vlerësohet gjatë performancës së kompanive.

Fatkeqësisht në listën e zezë që e kemi në Kosovë, OE-të futen për shkelje penale psh., falsifikim dokumentash, mirëpo jo për shkelje të kontratës. Nëse një OE ka qenë i papërgjegjshëm apo penalizohet për mospërmbushje të kushteve kontraktuale me të cilat është dakorduar fillimisht me nënshkrimin e kontratës, ishte dashur si pjesë e vlerësimit të kontratës të ekzistojë një kategorizim i vlerësimit të operatorëve ekonomikë ku këta OE do të sanksionoheshin për aplikim në procedura të Prokurimit Publik për një vit apo varësisht nga ndikimi që ka pasur mospërformanca e tyre në procedura publike”, ka thënë ajo.

Sipas Arbelina Dedushajt, monitoruese në OSHP nga Demokracia Plus, kryesisht operatorët ekonomikë ankohen për mosrespektim të Ligjit të Prokurimit Publik, dispozitat që kanë të bëjnë me diskriminimin e OE-ve,  specifikacionin teknik dhe anulimin e padrejtë të tenderëve.

“Bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të Organit Shqyrtues të Prokurimit, KEK mbetet njëra ndër autoritetet kontraktuese ndaj të cilës ushtrohen më së shumti ankesa nga ana e OE”, thotë ajo.

Pavarësisht numrit të madh të ankesave, zyrtarët e KEK-ut mendojnë që ato janë në proporcion me numrin e procedurave të prokurimit që realizon kjo ndërmarrje.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të aktiviteteve të prokurimit dhe kompleksitetin e lëndëve, sepse kemi të bëjmë me industri, konsideroj që numri i ankesave është një numër i mjaftueshëm”, ka thënë Isak Kerolli.

Diana Krasniqi nga KDI vlerëson se mungesa e auditimit të KEK-ut është një shqetësim i vazhdueshëm që si rrjedhojë ka pasur mungesën e kapaciteteve të auditorit. Sipas saj, pavarësisht mungesës së kapaciteteve të kësaj zyre, auditori është dashur të gjejë ndonjë mundësi për auditimin e ndërmarrjeve publike, duke ditur rëndësinë e tyre.

Të ngjashme