Shkak Coronavirusi, Kosova anulon përkohësisht fluturimet drejt veriut të Italisë

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar të anulohen përkohësisht fluturimet drejtë veriut të Italisë për shkak të përhapjes së coronavirusit në këtë zonë.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se tashmë fluturimet janë ndërprerë.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit”.

“Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet janë ndërprerë”.

“Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar Abdixhiku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme