Instituti GAP: Prodhimi i energjisë elektrike nuk po mund t’i mbulojë kërkesat nga konsumatorët

Prishtinë | 24 Gus 2022 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Studime të Avancuara GAP njofton se prodhimi i energjisë elektrike në vend nuk po mund t’i mbulojë kërkesat nga konsumatorët.

Sipas GAP-it, edhe Shqipëria nuk po mund ta furnizoj Kosovën me energji.

“Javëve të fundit konsumi mesatar ditor i energjisë elektrike në Kosovë në orë është rreth 560MWh, ndërsa prodhimi rreth 530MWh. Kërkesa për energji elektrike në Kosovë është më e lartë nga mesdita deri në mbrëmje, dhe për shkak se TC Kosova B2 është në riparim të planifikuar nga java e dytë e muajit gusht, Kosova nuk po arrin të përmbushë kërkesat e brendshme të energjisë elektrike në këtë periudhë të ditës”, njofton GAP.

“Meqë edhe çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare po shënojnë çmimet rekord dhe Shqipëria (KESH) nuk po arrin ta furnizoj Kosovën nga deponimet e saj atje përgjatë tërë periudhës së nevojitur, kjo po ndikon që në Kosovë të aplikohen reduktime”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme