Qeveria në detyrë e Kosovës brenda kësaj jave pritet që të marrë një vendim lidhur me shpërndarjen e mjeteve të parapara në buxhetin e këtij viti për rimëkëmbje ekonomike.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se së pari do të merret një vendim i përgjithshëm në Qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për tërë shumën prej 222.4 milionë euro.
Krasniqi përmes një psotimi në Facebook, ka thënë se nenet nga ky ligji të cilat nuk kanë kërkuar ndarje buxhetore kanë filluar së zbatuari që pas aprovimit të ligjit në dhjetor 2020 si: tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional, lirimet tatimore etj
Postimi i plotë tij:
Në përgjigje të interesimit të mediave dhe pyetjeve të shumta duke i `u falënderuar, më poshtë mund të gjeni disa informata lidhur me hapat për implementim të ligjit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021:
1. Nenet e caktuara të ligjit për rimëkëmbje ekonomike që nuk kanë kërkuar ndarje buxhetore kanë filluar së zbatuari që pas aprovimit të ligjit në dhjetor 2020 si: tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional, lirimet tatimore etj.
2. Pjesët tjera të ligjit fillojnë së zbatuari me fillimin e ekzekutimit të buxhetit për vitin 2021 sipas mundësive buxhetore. 3. Së pari, do të merret një vendim i përgjithshëm në qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos për rimëkëmbje ekonomike për tërë shumën prej 222.4 mln euro. Në këtë vendim mjetet të cilat nuk janë të dedikuara për qëllime të caktuara do të ndahen nëpër institucione për zbatimin e masave të caktuara në mbështetje të biznesit, individëve dhe ministrive/komunave të cilat mbulojnë fusha të caktuara.
4. Me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pikës 3 ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.
5. Bizneset dhe qytetarët duhet të presin ministritë e linjës për t`u informuar për mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde, kriteret që duhet plotësuar për të qenë përfitues dhe kohën e aplikimit nëse nevojitet aplikim. 6. Prioritet për fillim do të kenë fusha në të cilat është i domosdoshëm fillimi i zbatimit të masave: si p.sh arsimi, vijimi i pagesave për shtesa për sektor të caktuar, pagesat për të vet-punësuarit dhe ata që kanë humbur vendet e punës.
7. Gjatë vitit 2021 do të ketë zbatim të plotë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Fillimi i zbatimit të masave pritet të filloj gjatë janarit të këtij viti. I tërë procesi i implementimit do të zbatohet në mënyrë transparente.