Kriza energjetike – me 20 milionë € sigurohet rrymë për tri javë, të ketë bashkëpunim me Shqipërinë

Prishtinë | 04 Jan 2022 | 12:30 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vetëm në muajin nëntor Kosova ka importuar energji në vlerë prej 10 milionë euro. Për të tejkaluar krizën energjetike në vend, Qeveri ka ndarë 20 milionë euro, shumë kjo që po konsiderohet e pamjaftueshme, raporton Ekonomia Online.

Liron Gjocaj, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se kriza energjetike që e ka kapluar Evropën tash e disa muaj si shkak i rritjes së çmimit të gazit e pandemisë është vërejtur edhe në Kosovë javëve të fundit.

Sipas tij, 20 milionë euro si subvencionim për importin e energjisë elektrike nga Qeveria, sigurohet rrymë jo më shumë se për tri javë.

“Duke e ditur që vetëm gjatë muajit nëntor sasia e energjisë elektrike e importuar kap vlerën e rreth 10 milionë eurove, atëherë mund ta kuptojmë që kjo shumë e ndarë nga ana e Qeverisë nuk është e mjaftueshme për tejkalimin e krizës energjetike”.

“Kjo sasi e energjisë elektrike është e mjaftueshme vetëm në baza javore. Domethënë dy, tre javë jo më shumë. Duke e ditur edhe kërkesën e shtuar për energji elektrike gjatë muajve të dimrit e sidomos këtë vit ku kërkesat kanë thyer edhe rekorde. Duke e ditur që gjatë dimrit këto kërkesa rriten, mund të themi se këto mjete nuk janë të mjaftueshme”.

Gjocaj tha se mungojnë investimet serioze në gjenerimin e energjisë përmes burimeve të ripërtrishme.

Sipas tij, që të shmangen krizat në të ardhmen duhet të synohet bashkëpunim më Shqipërinë, raporton EO.

“Mungojnë projektet ku bëhet gjenerimi i energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtrishme. Investitorët e huaj janë të mangët në Kosovë dhe skemat mbështetëse për burimet e ripërtrishme të energjisë janë të mangëta”.

“Ne tash e disa kohë po bëjmë thirrje që të reformohet skema mbështetëse për burimet e ripërtrishme të energjisë në mënyrë që të bëhen më shume gjenerues në Kosovë edhe çmimi energjisë i bir që të varet nga konkurrenca”.

“Bashkimi energjetik me Shqipërinë do të ndihmojë në veprimet e institucioneve për të shmangur krizat energjetike në të ardhmen, por pjesa kryesore është integrimi i burimeve të ripërtrishme të energjisë dhe liberalizimi i tregut. Këto dyja do të ndihmonin që më të ardhmen krizat energjetike të cilat nuk mund të themi që nuk mund të ndodhin, mund të shmangen më lehtë”.

Pako e Ringjalljes Ekonomike i është shtuar edhe masa 3.7 përmes të cilës janë alokuar 20 milionë euro, përmes të cilave do të subvencionohet KEK-u.

Të ngjashme