Kush përfiton e kush humb në ekonominë globale në këtë kohë pandemie?

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 13:12 | Nga Fahredin Verbovci

Historia na tregon se njerëzimi është përballuar me lloje te ndryshme të epidemive qysh në shekullin e III-të para Krishtit, kur komandanti kartagjenas përdori helm dhe qëlloi qytete dhe kështjellat e pushtuara nga armiku me qëllim që të dominojnë jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në fushën e industrisë.

Gjatë luftërave në Evropë të viteve 1733 – 1865, rreth 8 milionë njerëz vdiqën ndërsa humbjet nga aspekti ushtarak kanë qenë 1,5 milion, ndërsa 6,5 milion njerëz kanë vdekur nga sëmundjet infektive e shfaqur. Epidemia e shfaqur tek popullata ka pas pasoja të rënda si në aparaturat shtetërore ashtu edhe çorganizim të industrisë e transportit në tërësi.

Pa dashtë të paragjykojmë edhe në ditët e sotme, sëmundjet infektive mund të ndikojnë në çorganizimin e ekonomisë, industrisë e cila më pas mund të shpie te një rend i ri në nivel global të fuqive ekonomike.

Së këndejmi përhapja e virusit korona COVID-19 jo vetëm që ka ndikuar rëndë në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve në të gjithë botën, por ky virus po ashtu ka ndikuar edhe në mënyrën e sjelljes së njerëzve në rutinën e tyre të përditshme.

Kjo pandemi po paraqet një kërcenim serioz për paqe dhe siguri si dhe ka shkaktuar një efekt të madh negativ që po e trondit ekonominë globale.

Në çdo çarje të madhe ekonomike disa industri pësojnë goditje të mëdha, mirëpo ka edhe disa tjera të cilat përfitojnë nga përhapja e pandemisë. Ky virus përveç tjerash ka goditur dhe shkatërruar tregjet e aksioneve botërore. Në bazë të vlerësimeve të bëra nga njohësit e kësaj fushe, në tremujorin e fundit në bursat botërore janë shlyer rreth 15 trilionë dollarë aksione.

Çmimi bruto i naftës së Detit të Veriut për tremujorin e parë të këtij viti ka pësuar uljen më të madhe që vlerësohet diku rreth 60% dhe aktualisht çmimi për një fuqi sillet rreth 25 dollarë.

Kësaj situata nuk i ka shpëtuar as industria metalike, në veçanti është goditur industria e metaleve si alumini, çeliku dhe bakri, çmimi i të cilave ka pësuar ulje. Hiq më mirë nuk kanë shpëtuar as disa produkte bujqësore (sheqeri, kafja) çmimi i të cilave në tregun botëror ka pësuar ulje të theksuar.

Pandemia e virusit Korona e ka goditur me të madhe edhe turizmin, prandaj kjo do të reflektojë tek të gjitha ato shtete të cilat në fakt kanë gjeneruar të ardhura nga kjo fushë dhe pritet që të kenë pasoja financiare negative për një periudhë të gjatë kohore. Numri i vizitorëve ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm, si pasojë shumë hotele të njohura, kompani ajrore janë duke u ballafaquar me humbje të mëdha. Veçanërisht goditje të madhe do të pësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga kjo pandemi.
Megjithëse, virusi Korona ka goditur dhe mbështet për muri industrinë dhe tregjet e aksioneve janë pësuar rënie të madhe, disa firma që mundësojnë një mënyrë të jetës private në këtë kohë izolimi, teknologjia informative gjegjësisht interneti janë përfituesit potencialë të mundshëm të kësaj situate.

Vetëm gjatë periudhës së pandemisë së virusit COVID-19, platformat e rrjeteve sociale kanë pësuar një rritje të madhe, në veçanti rritje të madhe kanë realizuar platformat të cilat ofrojnë shërbime për ushqim edhe produkte të tjera të shpërndarjes.

Me vetë faktin se tash e disa javë disa aspekte organizative dhe të punës po kryhen nga shtëpia, njerëzit do ta vërejnë se janë në gjendje që të punojnë dhe të komunikojnë me të tjerët nga vendi ku janë duke jetuar. Kjo mënyrë e re e punës do t’i ndihmon njerëzit që të avancojnë aftësitë dhe shkathtësitë e tyre në teknologji dhe kryesisht do të ndihmon punën ekipore nga distanca.

Deri sa Kina është identifikuar si vendi i parë në botë në të cilën është paraqitur virusi COVID-19, ekonomia e saj ka kaluar përmes një periudhe kohore të vështirë, por mirë e menaxhuar, sot ekonomia e Kinës gradualisht po e merr vetën dhe njerëzit po kthehen në punë si dhe fabrikat po ri-funksionalizohen dhe prodhimi kinez ka rifilluar.

Në anën tjetër, shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe ShBA-të janë duke u përballuar me parandalimin dhe luftimin e pandemisë, jeta në këto shtete është duke u vështirësuar për shkak të rritjes gjegjësisht shtrirjes së pandemisë me të madhe.

Si pasojë e kësaj situate ekonomia e këtyre shteteve është duke u përballur me vështirësi shumë të mëdha dhe këto vështirësi do të përcjellin edhe për një periudhë të ardhshme fatkeqësisht të gjatë.

E ardhmja e afërt do të tregojë se a ka qenë kjo “lufte” ekonomike apo jo në mes shteteve të fuqishme (me fuqi ekonomike) dhe nëse ka qenë e tillë, atëherë kjo do të vazhdojë dhe pas kësaj periudhe kohore dhe se bota nuk do të jetë siç ka qenë, por do të ketë zhvendosje të pushtetit në aspektin global në fushën e ekonomisë.

Të ngjashme