Më 5 e 6 maj mbahet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sportit

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 14:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit, i cili do të mbahet më 5 dhe 6 maj në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, do të marrin pjesë 22 subjekte, përfshirë biznese, operatorë turistikë, klube sportive etj.

Ky është panairi i 18-të me radhë, i cili organizohet nga  kompania Congress & Event Organization (CEO), nën patronazhin e Qeverisë së Kosovës. Panairi sivjet organizohet në bashkëpunim me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK). 

Te ftuar në cilësinë e folësve janë kryeministri Albin Kurti; ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku; ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci; kryetari i Prishtinës, Përparim Rama; kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi etj.

Bekim Xhafa, themelues i CEO për “Ekonomia Online”,  ka deklaruar se pjesëmarrësit vijnë nga niveli shtetëror i agjencive kombëtare të turizmit të vendeve të regjionit, sektorit privat etj.

“Sot jemi mbledh këtu për organizimin e panairit të 18 me radhë i cili do të jetë nesër në fushën e turizmit dhe sportit. Janë 18 vjet histori dhe është event i cili i shërben sektorit të turizmit në përgjithësi. Si çdo vit pjesëmarrësit vijnë nga niveli shtetëror i agjencive kombëtare të turizmit të vendeve të regjionit, pastaj është sektori privat, si dhe turizmi malor që është në rritje e sipër. Shifra shumë të sakta nuk ka, por thuhet se ka një rritje në 5 vjeçarin e fundit rreth 20 herë”, ka deklaruar Xhafa.

Ai tutje ka thënë se organizimi i këtij panairi s’ishte i lehtë pas periudhës pandemike, porse është shprehur mirënjohës dhe OHTK-së për bashkëpunimin.

“Vërtetë që ky edicion pas pandemisë nuk kish me qenë i lehtë dhe i bëshëm pa një marrëveshje që kemi krijuar edhe me shoqatën e hotelierëve dhe turizmit të Kosovës. Jam shumë mirënjohës për kontributin e tij dhe anëtarëve të tij të cilët janë organizuar në mënyrë masive dhe janë mbi 22 subjekte të cilat janë prezentë në panair”, u shpreh Xhafa.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës për “EO”, tha se këtë vit është hera e parë që po marrin pjesë, si pasojë e pandemisë nuk kanë mundur të marrin pjesë në vitet paraprake.

“Ne sivjet kemi marrë pjesë si bashkorganizator bashkë me CEO-n. Ne si Odë është hera e parë që organizojmë panaire për arsye se jemi organizatë e re; në korrik i mbushim dy vite. Plus pandemia që ka qenë ajo pengesa që ne s’kemi mundur me mbërri”, u shpreh ai.

Veçanti e këtij edicioni është pjesëmarrja rajonale dhe përfaqësimi zyrtar i shteteve si Malit të Zi, i cili përfaqësohet nga Organizata Kombëtare Turistike së bashku me shtatë komuna, grupe të shoqatave dhe bizneseve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut së bashku me Komunën e Strugës dhe Italia me biznese nga regjioni i Puglias.

Bashkëpunimi me OHTK-në për organizimin e këtij panairi, ka mundësuar sjelljen e mbi 20 biznese vendore, ndërsa pavijonin e sportit e ka mbështetur nga MKRS-ja, në mesin shumë klubeve janë edhe Klubi Alpin Prishtina dhe Kayak Kosova.

“Ne si Odë kemi ftuar edh homologë të themi ashtu siç i kemi shoqatën hoteliere nga Tirana, unionin turistik i Shqipërisë, kemi Agjencinë Kombëtare të Maqedonisë, si dhe shumë bashkëpunëtor që i kemi ne”.

Sadik Maqedonci, drejtor për Hoteleri dhe Gastronomi, në kuadër të OHT, ka thënë se ky panair ka zgjuar interesim te të gjithë anëtarët që janë pjesë e OHT-së.

“Është një mundësi dhe një kënaqësi e veçantë që po na jepet mundësia të bashkëpunim me CEO të jemi bashkorganizator të panairit. Është hera e parë e Odës për shkak të kushteve të pandemisë nuk kemi pas mundësi të merremi me panaire. Kjo ka zgjuar një interesim te të gjitha anëtarët që janë pjesë e odës për arsye se e kanë pa si mundësi atraktive për prezantimin e kapaciteteve akomoduese edhe të gjitha cilësive tjera”, u shpreh ai.

Bizneset dhe organizatat e ndryshme turistike e sportive do të kenë rastin të përfitojnë në aspektin e afirmimit të tyre dhe lidhjes së drejtpërdrejtë që do ta krijojnë me klientët.

Vizitorët, po ashtu, do të kenë mundësinë për t’u informuar rreth ofertave, vendeve të cilat mund t’i vizitojnë dhe atraksioneve turistike si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon.

Qëllimi i këtij panairi vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor dhe rajonal duke shërbyer si udhëzues i pikave dhe atraksioneve turistike.

Të ngjashme