Mehmeti pjesë e takimit vjetor virtual të FMN-së dhe BB-së

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka qenë pjesë e takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që këtë vit u organizuan nga distanca për shkak të pandemisë Covid-19.

Gjatë këtyre takimeve, të cilat u zhvilluan nga data 15 deri më 22 tetor 2020, Guvernatori Mehmeti mori pjesë edhe në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti ka realizuar takim edhe me zëvendës presidenten e Bankës Botërore, Anna Bjerde dhe ekipin e saj, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, si dhe kërkesat për asistencë teknike.

Guvernatori Mehmeti me këtë rast njoftoi zëvendës presidenten e Bankës Botërore, lidhur me sistemin financiar në vend dhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së gjatë kohës së pandemisë.

Gjatë këtyre takimeve virtuale, Guvernatori Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë në takimin e Drejtoreshës Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilën e zhvilloi me Ministrat dhe Guvernatorët e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në këtë takim përveç prezantimit të perspektivës ekonomike evropiane, u diskutua edhe për sfidat dhe politikat që ndërlidhen me përgjigjen ndaj efekteve të Covid 19.

Përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë edhe në takimin plenar të Komitetit Monetar Financiar Ndërkombëtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me adresimin e pandemisë, promovimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe ringjalljen e bashkëpunimit global.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme