Hapet Panairi i Përgjithshëm “Prishtina 2022”, OEK e cilëson panair të rimëkëmbjes

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 12:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 100 kompani, nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, po marrin pjesë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2022”, i cili u hap sot në Qendrën e Panaireve, në fshatin Shkabaj në Prishtinë.

Në panairin i cili tradicionalisht organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ndërmarrjet po promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, si dhe kanë mundësinë të njoftohen me mundësitë e zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e ndryshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në hapje tha se ky është manifestimi më i madh ekonomik që organizohet në Kosovë dhe synon mbështetjen dhe zhvillimin e çdo sektori të ekonomisë.

“Ky është panair i rimëkëmbjes dhe si i tillë duhet të vlerësohet. Është një proces i rimëkëmbjes dhe i rikthimit. Ne besojmë qe do ta rikthejmë dhe do ta rrisim. Këtë vit i kemi rreth 100 pjesëmarrës. Shpresojmë që ta dyfishojmë numrin vitin tjetër”, ka thënë Rukiqi, raporton Ekonomia Online.

Kurse, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se institucioni që ajo e drejton do të bëjë më të mirën në përkrahje të nevojave të tregut.

“Si ministre e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë, do të mundohemi këtë odë ta ristrukturojmë që të jetë në shërbimin e juaj. Nevojat e sektorit provat janë shumë të mëdha. Nevoja për fuqi punëtore dhe stabilitet. Dhe në këtë drejtim po punojmë në reformat shtetërorë e të bërit biznes në Kosovë. Kosova është shumë e pasur në aspektin e mineraleve, natyrës, resurseve njerëzore që është faktori më i rëndësishëm ekonomik”.

“E di që keni nevojë t’i certifikoni produktet e juaja. Ju përgëzoj për gjithë punën dhe suksesin dhe pres më shumë progres në zinxhirët rajonale”, u shpreh Hajdari.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka thënë se duhet vlerësuar lart bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë, ai njëkohësisht kërkojë bashkëpunim edhe më vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Është një ndjesi shumë interesante këtë vit rikthimi i aktiviteteve të Kosovës dhe rajonit me një pikësynim të qartë. Është shumë e rëndësishme qëllimi i mbajtjes së këtij aktiviteti. Është i rëndësishëm bashkëpunimi në Evropë në botë, por më me rëndësi në rajonin tonë. Evropa për ne është shumë e rëndësishme, por pjesë e Evropës është edhe Ballkani”.

“Duhet zhdukur sa më shpejt barrierat, që të veprojmë si një treg rajonal. Është shumë e rëndësishme të theksoj sot se të gjitha marrëveshjet që janë bërë mes dy qeverive në 6-vjeçarin e kaluar. Sot Kosova dhe Shqipëria eksportojnë mbi 420 milionë euro”, tha Minxhozi.

Kurse, Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike, ka deklaruar se duhet të gjithë të kërkojnë më shumë nga ministrja Hajdari sa i përket përkrahjes së këtyre panaireve.

“Është ditë e veçantë që sot jemi bashkuar për të promovuar Panairin e Përgjithshëm ‘Prishtina 2022’ në kuadër të OEK-së. Ky panair i ka munguar Kosovës. Dua t’i inkurajoj të gjithë që janë prezent të kërkojmë një përkrahje më të fuqishme nga ministrja Hajdari që në të ardhmen të organizohen panaire më të fuqishme qoftë në ekonomi, bujqësi, arsim e të tjera”.

Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe mysafirët.

“Dua të ju falënderoj të gjithëve që jeni prezent në këtë ditë të rikthimit dhe ringjalljes ekonomike pas COVID-19, ku gjithë sektori privat po mundohet të ringjallet në aspektin ekonomik dhe tregtar. I nderuar ambasadorë i Italisë dhe faleminderit shumë që vjen nga vendi mik i cili ka bërë shumë për Kosovën dhe vazhdon të bëjë shumë për vendin tonë. Faleminderit edhe mikut tim nga Shqipëria, Qemajl Minxhozi, një person shumë i rëndësishëm për shkëmbimin e fuqishëm të tregtarëve mes Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi Kurtishaj.

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2022” do të jetë i hapur nga 5 deri më 8 maj në Qendrën e Panaireve, në fshatin Shkabaj në Prishtinë.

No description available.

Të ngjashme