OEK ndan çmime për tatimpaguesin, eksportuesin dhe punëdhënësin e vitit

Prishtinë | 18 Dhj 2018 | 20:53 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka organizuar Gala Mbrëmjen, ku u ndanë shpërblimet për tatimpaguesin, eksportuesin dhe punëdhënësin e vitit 2018. Gjithashtu kompanitë patën mundësinë të japin kontribut financiar për shoqatën “Down Syndrome Kosova”.

Çmimi për tatimpaguesin e vitit 2018 iu nda kompanive: Bechtel Encha, BKT, Abi Center, Hib Petrol, King Security si dhe noterit Sefer Krasniqi.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, e ka quajtur të veçantë këtë mbrëmje. Ai tha se bizneset janë të determinuara të jenë zëri i arsyes në këtë vend dhe se ata janë të vendosur që të ndihmojnë kur është e nevojshme, ashtu siç janë mbledhur sonte në mbështetje të “Down Sindrome Kosova”.

Në vazhdim, Rukiqi foli edhe për ekonominë e Kosovës, për të cilën tha së këtë vit po e karakterizon vendimi për taksën prej 100%, raporton Ekonomia Online.

“Kur jemi në përfundim të këtij viti kemi shumë arsye të shpalosim se çfarë kemi arritur dhe në çfarë mund të jemi më të mirë. Kemi një rritje ekonomike me një mesatare 4.5 %. As kapitulli i infrastrukturës e as i ekonomisë nuk mund ta ketë fokusin pa përkrahjen e sektorit privat.”

“Fjala ekonomi ka marrë emrin e vendimit të masës 100%. Ky vendim ka kriju një momentum që të gjithë të jemi më të fokusuar në rritjen ekonomike si dhe krijimin e vendeve të punës. T’u dëshmojmë vendeve të BE-së që ne jemi të interesuar të eksportojmë por edhe ta rrisim fuqinë punëtore. OEK dhe bizneset janë të determinuara të jenë zëri i arsyes në këtë vend. Por gjithashtu ta përmirësojmë edhe qeverisjen në interes të vendit.”

I pranishëm në mbrëmje ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj. “Sonte jo vetëm që po vlerësohet një nder për sipërmarrësit tonë por sonte po ndodh edhe një veprim shumë njerëzor. Të gjithë ne jemi krijues, vlera e secilit është shumë e çmueshme. Ne jemi qind për qind për një Kosovë të suksesshme”, tha ai.

“Nëse të gjithë ne japim nga vetja jonë për një të nesërme më të mirë, jam i sigurt se vetëm do t’iu shpërblejmë brezave që janë sakrifkuar që në këtë vend të jetohet me dinjitet dhe gjithashtu t’ua shpërblejmë të gjithë atyre që presin një storje suksesi për Kosovën. Jemi edhe ne qind për qind për një Kosovë të suksesshme dhe ky qind për qind është një sfidë e madhe që mund ta kalojmë së bashku”, tha kryeministri Haradinaj.

Kreu i Qeverisë i përshëndeti përfaqësuesit e bizneseve për të cilat tha se janë krijues të vlerës ekonomike.

“Është me rëndësi të theksohet se sonte jo vetëm që po përçohet një porosi e mirënjohjes dhe respektit për sipërmarrësit si krijues të vlerës ekonomike për vendin tonë, por po ashtu, sot po bëhet edhe një veprim tjetër shumë njerëzor, siç është edhe vlera jonë. Unë mendoj se populli Kosovës është i shquar për humanizmin e bujarinë tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se në këto momente me peshë, të gjithë janë krijues, dhe se vlera e secilit është çmueshme.

Sebahate Beqiri, drejtoreshë e organizatës “Down Syndrome Kosova”, ka falënderuar Odën Ekonomike për organizimin e kësaj ngjarjeje, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për të qenë afër nevojave të këtij komuniteti.

Ajo tha se kjo shoqatë qe mëse 11 vjet punon për mbrojtjen dhe përfaqësimin e denjë të personave me Sindromën Down.

“Jemi përballur me sfida, shpeshherë dërmuese, që na kanë vështirësuar arritjen e synimeve tona të mëdha por kjo nuk na ka penguar të shfaqim fuqishëm zërin e personave me Sindromën Down”.

“Shoqatën dhe kauzën tonë e kanë përkrahur vazhdimisht qytetarët dhe institucionet. Përkrahja e tyre na ka bërë më të fortë dhe më të pathyeshëm. Ne jemi këtu për të kërkuar edhe më shumë ndihmë e përkrahje pasi që qendra jonë në Mitrovicë po punon në kushte shumë të vështira”, tha Beqiri.

Të ngjashme