Pandemia Covid-19 shpërfaqi rëndësinë kritike të teknologjisë dhe inovacionit

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 16:09 | Nga Majlinda Ibrahimi

Transformimi digjital i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është i nevojshëm për sukses. Kështu u tha, mes tjerash, në diskutimin e organizuar nga projekti ACCESS me temën “Transformimi digjital i NVM-ve”, më kuadër të “e-Days”, raporton Ekonomia Online.

Në debatin e organizuar nëpërmes platformës “Zoom”, folësit theksuan se përparimet e shpejta teknologjike dhe digjitalizimi kanë ndryshuar mënyrën e punës, bashkëpunimit, dhe aktivitetit shoqëror. Zgjidhjet e reja dhe inovative janë bërë shtytës themelorë të suksesit të bizneseve. Së fundmi, pandemia Covid-19 ka shpërfaqur rëndësinë kritike të teknologjisë dhe inovacionit, duke demonstruar se digjitalizimi është një realitet që do të vazhdojë të mbizotërojë.

Kujtim Dobruna, nga Access, theksoi nevojën e digjitalizimit në funksionimin më të lehtë të një biznesi apo korporatë.

“Po studiojmë për implementimi e digjitalizimit, po sjellim përvojat aktuale nga Austria për sektorin privat duke lehtësuar themelin e bizneseve të reja. Qëllimi afatgjatë është t’i bëjmë ndërmarrjet e Kosovës në epokën moderne. Në bashkëpunim, këta konsulentë janë pjesë vitale. Aktualisht jemi duke punuar në akreditimin e Shoqatës së Konsulentëve të Kosovës në aspekt ndërkombëtar. Ne momentin kur ky akreditim të përfundojë, do të kemi më shumë përfitime. Të promovojë digjitalizimin e sektorin privat dhe publik”, tha Dobruna.

Një studim në fund të vitit 2019, pengesat kryesore në trasformim digjital ka rezultuar të jetë mungesa e vetëdijes mbi përfitimet që sjell digjitalizimi.

Arsim Aziri, përfaqësues i Austrian Development Coorporation, tha se ndërmarrjet e vogla dhe mese duhet të përkrahen në procesin e digjitalizimit.

“Qeveria e Austrisë e ka prioritet, zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Pandemia që na ka kapluar tashmë thuaja në vit dhe impakti i saj në ekonomi kanë qenë të mëdha. Kjo i ka bërë edhe me mendu sesi ta përkrahim sektorin privat e sidomos ndërmarrjet e vogla, e të mesme, e kanë parë që shërbimet e bërë të digjitalizohen në mënyrë që me pasë qasje më të lehtë. Sektori i digjitalizimit, duke i pasur parasysh edhe kapacitetet e të rinjve, duhet ta marrim e seriozisht. Në Vjenë është nënshkruar një marrëveshje me Odat Ekonomike me 6 vende të Ballkanit dhe tema kryesore ka qenë digjitalizimi”, tha Aziri.


Tutje, ai foli edhe për rëndësinë e projektit ALED që është ndërlidhje e edukimit me tregun e punës.

“Një ndër prioritete është edukimi i të rinjve, nga projekti ALED është ndërlidhja e edukimit me tregun e punës. Ndër aktivitet ka qenë që të krijohet një platformë ku të gjitha agjencitë, të integrohen në mënyrë që të kenë qasje me të lehtë. Që ta kenë një pasqyrë të qartë, ne mënyrë që ta dijnë sa ka të papunë, sa janë te kualifikuar, e kjo i ndihmon bizneset. Kanë bërë integrimin që të gjithë këta ta ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Aziri.

Nol Buzhala nga KIESA, tregoi se vitin e kaluar kanë hapur thirrjen që të ju ndihmojnë ndërmarrjeve në procesin e digjitalizimit. Mirëpo ai theksoi se kërkesa ka qenë e madhe, por si rrjedhojë e buxhetit të vogël kanë arritur t’i ndihmojnë vetëm 10 për qind.

“KIESA në bashkëpunim me Bankën Botërore ka përkrahur 27 kompani në certifikim, vlera e kësaj ka qenë 600 mijë euro. Vetëm 10 për qind të kompanive që kanë aplikuar janë ndihmuar. Gjithashtu kemi përkrah edhe gratë në fillimin e bizneseve. Kemi pretenduar që gjatë kësaj kohe të gjejmë partner që për këto biznese qe s’kemi mundur t’i ndihmojmë në digjitalizim, mirëpo rregullat dhe ligjet e të gjithave institucioneve ka qenë e pamundur t’i përkrahim të gjitha”, tha Buzhala.

Tutje ai njoftoi se shpallja për thirrjen e dytë do të fillojë të hënën.

“Pasi që janë përgatitur draftet dhe janë në shqyrtim, ne mendojmë që brenda kësaj jave na i plotësojmë ndryshimet nga ana jonë dhe japin dritën e gjelbër për shpalljen. Ndoshta për të hënën e ardhshme do të filloj shpallja”, u shpreh tutje Buzhala.

Ndërsa, përfituesi i parë i iniciativës për fuqizim digjital, Ahmet Ramajli nga kompania “VM3”, tregoi për dëmet që i ka shkaktuar pandemia.

“Meqenëse është kompani e marketingut, pandemia ka ndikuar direkt. Ne si kompani ka qenë ndikimi shumë i rëndë. Qarkullimi ka rënë për 50 për qind. Klientët të gjitha aktivitetet i kanë ndërprerë, duke parë se kompania ka humbur shumë”, tha Ramajli.

Më tej, ai theksoi se digjitalizimi është i nevojshëm për çdo biznes.

Në anën tjetër, konsulentja Mysere Hoxha tha se bizneset duhet ta kenë të qartë se transformimi digjital është më i thellë, dhe nuk ka të bëjë vetëm me anën teknologjike.

“Si pjesë e ndërtimit të kapaciteteve ka pasur rëndësi të madhe për përmbushjen e ekspertit në rolin e konsulentëve. Bizneset duhet ta kenë të qartë që transformimi digjital është një koncept më i gjerë. Sa i përket rolit të konsulentit, roli jonë është m’i ndihmu kompanitë bizneset, me rrit profitin e tyre me ndihmën e teknologjisë. Ne i asistojmë kompanitë me menaxhua ndryshimet”, tha Hoxha.

Në kuadër të “e-Days”, më 16 dhjetor, do të trajtohen temat “E-tregtia dhe pagesat online” (nga ora 10:00) dhe “Gratë në biznes si promovuese të digjitalizimit” (nga ora 15:00).

Debatet do të transmetohen “live” në faqet e Facebookut të ECIKS dhe EkonomiaOnline.

Sipas organizatorëve, e-Days ka për qëllim promovimin e transformimit digjital në sektorin privat dhe publik, shërbimeve për digjitalizim të biznesit, qasjes në treg dhe bashkëpunimit B2B.

Të ngjashme