Pandemia mundësoi hapjen e bizneseve të reja, institucionet s’kanë vizion për t’i ndihmuar ndërmarrësit e rinj

Prishtinë | 31 Tet 2020 | 07:31 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bizneset Start-up vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, ndërsa Qeveria duhet të kthejë fokusin në përkrahje për këto biznese të cilat hapin vende të reja të punës dhe përmes inovacionit lehtësojnë jetën e qytetarëve, vlerësojnë njohësit e ekonomisë.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), theksoi se Covid-19 me gjithë të këqijat ka sjellë edhe mundësi për themelimin e bizneseve të reja.

Madje ai thotë se kjo krizë globale ka ndikuar te bizneset dhe start-up.

“Në të gjithë botën kjo krizë globale ka ndikuar në biznese, në veçanti në bizneset, start-up të cilët në përgjithësi kanë sfidat të shumta për shkak se janë në fillet e para të biznesit. Mirëpo në anën tjetër po e shohim që shumë biznese të cilat janë start-up në fushën e teknologjisë kanë pasur mundësi të reja që ndoshta para pandemisë nuk kanë ekzistuar. Po flas për vetë faktin që shumë prej aktiviteteve edhe biznesore edhe sociale u zhvendosën gjatë pandemisë në kohën online. Kjo e shfaq edhe shpirtin ndërmarrës që të rinjtë dhe të rejat tona e kanë. Tash po vjen një kohë që bizneset po kanë një perspektivë më të mirë”.

Ai shtoi se duhet të krijohen instrumentet e duhura, pakot fiskale dhe tatimore të cilat do të nxirrnin ndërmarrësi dhe krijimin e bizneseve të reja apo start-up.

Sipas tij, ndihma më e madhe e Qeverisë është që këto qendra si ICK-ja e të tjera të shëndrrohen në qendra të vetqëndrueshme.

“Kryeministri Hoti flet për një program i cili është program i qeverisë domethënë ato 100 bizneset të reja janë përfitues të një trajnimi që e ka pasur qeveria. Personalisht nuk jam shumë përkrahës i këtyre ideve qeveritare për të nxitur ndërmarrësi. Roli i Qeverisë duhet të jetë pak më anash sa i përket bizneseve të reja. Sigurisht duhet të krijohen instrumentet e duhura, pakot fiskale dhe tatimore të cilat do të nxirrnin ndërmarrësi edhe krijimin e bizneseve të reja apo start-up mirëpo jo direkt në përfshirjen e tyre. Këto biznese janë mëse të nevojshme mirëpo modeli i tillë ku trajnohen dhe mbasi i marrin 3 000 euro grant nuk është treguar shumë i mirë. Unë besoj që Qeveria e ka një detyrim që këto organizata t’i shëndrrojë në vetë të qëndrueshme. Ndihma më e madhe e Qeverisë është që këto qendra si ICK-ja e tjera të shëndrrohen në qendra të vetëqëndrueshme dhe ta kenë përkrahjen e qeverisë”, shtoi ai.

Begu theksoi se Kosovës është duke i munguar një vizion i qartë sa i përket pakove apo ndihmesës për bizneset e reja fillestare.

“Kosovës është duke i munguar një vizion i qartë sa i përket pakove apo ndihmesës për bizneset e reja fillestare. Nuk ka asnjë dallim mes një biznesit të ri fillestar dhe bizneseve ekzistuese. Sa i përket trajtimit të tyre qoftë nga aspekti tatimor apo fiskal bizneset start-up kanë shumë vështirësi sa i përket qasjes në financa. Besoj që me një pako apo ligj të veçantë kjo do të mund të rregullohej”.

Sipas tij, duhet të shfrytëzohen mundësitë sa i përket fushës së digjitalizimit në mënyrë që të lehtësohet puna.

“Janë shumë faktorë të cilët do të përcaktojnë dhe janë disa statistika që tregojnë një regres sa i përket zhvillimit ekonomik. Mirëpo nëse arrijmë të shfrytëzojmë këto mundësi sa i përket fushës së digjitalizimit dhe synojmë që të rrisim eksportin besoj që pjesërisht mundemi të lehtësojmë këtë fushë. Është një moment kur mund ta ndërrojmë kahjen tonë ekonomike rreth asaj ekonomie e cila do të ishte bartës për zhvillim ekonomik, këtu po mendoj për fushën e teknologjisë dhe informacionit”.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu  tha se ardhmëria e Kosovës është në duart e talenteve të rinj të cilët ekonominë e dijes e kanë armën më të fuqishme, raporton EO.

“Është koha kur për ekonomi duhet të bëhet më tepër sesa vetëm të flitet dhe besoj që ekonomia në këtë moment të analizohet nga një dimension psikologjik. Duhet të kthehet besimi i humbur i qytetarëve në Kosovë. Duhet të kthehet besimi i humbur se në Kosovë mund të bëhet biznes dhe ne veçanti duhet të kthehet besimi i humbur te të rinjtë se në Kosovë mund të jenë kreativ”.

“Prandaj besoj që ardhmëria e Kosovës është në duart e gjeneratave të reja që sa më tepër të kemi inovacione dhe start-up dhe ide të reja do të jetë në funksion të ardhmërisë së Kosovës. Është koha kur duhet të bëhet një prerje e qasjes përballë ekonomisë. Sepse ekonomia nuk do të jetë ajo që ka qenë. Prandaj ardhmëria e Kosovës është në duart e talenteve të rinj dhe që ekonominë e dijes e kanë armën më të fuqishme drejt ardhmërisë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme