Panxha për idenë e Kurtit për reciprocitet me Serbinë: Të merren vendime për të mirën e prodhuesve

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 08:08 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janë bërë njëmbëdhjetë muaj që kur Qeveria e Kosovës, ka vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Për gjatë këtyre muajve, taksa ka ndikuar pozitivisht në disa sektorë të prodhimit. Kështu tha për Ekonomia Online, Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Panxha theksoi se sipas informatave që kanë në teren, ndikimi pozitiv është vërejtur te sektori i ushqimit, i përpunimit të drurit dhe plastikës.

“Taksa si e tillë do të thotë edhe që është miratuar për arsye politike, ne në teren që kemi mbledhur informata nga sektori i prodhimit të sektoreve të ndryshme të prodhimit  duke u nisur nga sektori ushqimor, sektori i përpunimit të drunit, pastaj pllastikës, kemi marrë përgjigje që do të thotë taksa ka ndikuar pozitivisht”, tha ai.

Panxha tregon se përveç rritjes së prodhimit, efekti i taksës ka bërë të të ketë edhe rritje të vendeve të punës.

“Ka pasur rritje të punësimit, kemi në kompani edhe shumë anëtarë të cilët e kanë rritur numrin e të punësuarve si rrjedhojë e taksës, do të thotë, fillimisht ka pasur një ngritje të lehtë të çmimeve por mos të harrojmë që për herë të parë që kemi marrë shifrat e doganës për herë të parë që nga paslufta kemi ulje të importit sa i përket vëllimit dhe jo shumës së paguar”.

“Do të thotë që kur kemi ulje të vëllimit të importit në sasi atëherë do të thotë është duke u kompenzuar me rritje të prodhimit vendor”, theksoi Panxha.

Sipas Panxhës, taksa nuk ka pasur ndikim në rritje të eksportit, por në importin e produkteve serbe e boshnjake në Kosovë.

“Taksa nuk ka pasur ndikim në eksport, do të thotë përkundrazi taksa ka pasur ndikim në importin e produkteve serbe dhe boshnjake në Kosovë. Ne kemi pasur vështirësi me eksportu në Serbi edhe në Bosnje para se me u vendos taksa. Kështu që taksa si e tillë, nuk mundet me pas efekt në eksport”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ditë më parë, kanditati për kryeministër të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte deklaruar se me ardhjen e tij në Qeveri taksën e vendosur ndaj mallrave serbe do ta zëvendësojnë me reciprocitet.

E për këtë, Panxha thotë se nuk mund të ndalen në deklarata politike të cilat bëhen, dhe se janë të thirrur më shumë për çështje ekonomike.

“Ai reciprociteti nuk e di cka nënkupton, por ne kemi thënë edhe jemi duke thënë që me vendet e rajonit  duhet të jemi të kujdeshsëm në qasjen sa i përket temave ekonomike. Duhet ta dimë që Kosova ka qenë e diskriminuar sa i përket ekonomisë dhe tregtisë në vendet si Serbia dhe Bosnja dhe ne besoj se duhet të jemi të involvuar nga Qeveria e ardhshme në vendimmarrje të japim imputin tonë, me analizat tona dhe eksperiencën tonë që kemi në këtë sektor dhe të merret një vendim që do të jetë i mirë për prodhuesit e Kosovës po edhe për qytetarin e Kosovës”, përfundoi Panxha.

Panxha më tej foli edhe për Raportin e Bankës Botërore (BB) për të bërit biznes, në të cilën Kosova renditet në vendin e 57. Sipas tij, ky rangim i Kosovës ka ndodhur për shkak të vakuumit të Qeverisë.

“Derisa performanca e Bankës Botërore fokusohet në cështje Administrative ku ka ngecje do të thotë për shkak të vakumit të qeverisë që nuk e kemi ende, atëherë ka pasur edhe përkeqësim edhe në rangim”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket rritjes ekononike, Panxha theksoi se ndonëse nuk kanë ende të dhëna preliminare për vitin 2019, shprehet i bindur se do të ketë rritje ekonomike.

Të ngjashme