Prodhuesit të zhgënjyer me mospërfshirje në takimin në mes dy Qeverive

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Prodhueseve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë” shprehin zhgënjimin e tyre për mos përfshirje në takimin i cili po mbahet sot në mes të qeverive, qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në qytetin e Pejës.

Klubi i Prodhuesve dhe Bashkimi i Prodhuesve ditë më parë kanë shprehur kërkesat e tyre dhe kanë adresuar ato tek të dy qeveritë, duke kërkuar që këto të merren parasysh gjatë kësaj mbledhje të sotshme. Përveç fjalëve të mira dhe premtimeve të zakonshme, nuk ka asnjë lëvizje për largimin e barrierave.

Prodhuesit kanë kërkuar eliminimin e barrierave tregtare dhe unifikimin e tregut kombëtar shqiptar. Kërkesat të cilat janë adresuar kanë të bëjnë me problematikat që prodhuesit hasin gjatë tregtisë së tyre, e të cilat kanë të bëjnë me procedura tarifore dhe jo-tarifore. Këto janë dhe kërkesat specifike:

  • Heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë)
  • Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës)
  • Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Njohja reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
  • Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve; (Kërkesa i drejtohet qeverisë shqiptare)
  • Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)
  • Krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive).
  • Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë nuk do të ndalin me kërkesat e tyre, deri në momentin e përmbushjes së këtyre nga Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme