Rritja ekonomike 4.7% s’është për mburrje, proceset politike shkak që kjo të mos arrihet

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 08:16 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për vitin 2019 është parashikuar që rritja ekonomike në vend të jetë 4.7%, më e larta që nga paslufta.  Por ky paralajmërim për njohësit e ekonomisë po del të jetë jo shumë premtues.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija i tha Ekonomia Online se shpreson që kjo rritje të mosngecë për shkak të gjendjes politike në vend.

“Kjo është mjaft inkurajuese për neve sepse tregon se do të ketë një dinamikë të mirë ekonomike dhe kreditimi nga sektori bankar varet nga norma e zhvillimit ekonomik, d.m.th 4.7% është një normë shumë premtuese, po shpresojmë që nuk do të ketë ndonjë ngecje në procese qoftë politike qoftë ekonomike që do ta ndërprenë këtë rritje ekonomike”.

“Përndryshe sektori bankar ka zgjeruar kreditimin vitin e kaluar në 11.5% që është një rritje jashtëzakonisht e madhe e kreditimit, por Kosovës i duhet edhe më shumë financim. Që do të thotë se vitin e ardhshëm shpresojmë që do të tejkalojmë këtë nivel të zgjerimit të kreditimit”, tha ai.

Mirëpo njohësi i çështjeve ekonomike, profesori Musa Limani, tha për Ekonomia Online se rritja ekonomike e vendit prej 4.7% nuk është për mburrje.

Sipas tij, ekonomia e vendit është në kahe negative dhe për të ndryshuar këtë duhet bërë reformë rrënjësore ekonomike me një strategji të planifikimit afatgjate.

“Duke u bazuar në gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës mund të konstatoj se niveli i zhvillimit ekonomik të Kosovës është më i ulët i në rajon dhe për nga niveli i zhvillimit të forcave prodhuese Kosova hyn në radhën e familjeve ose të vendeve jo mjaft të zhvilluara. Çështja e numrave relativ për ne ekonomistet nuk është bindës për të na tregu që kemi një zhvillim, megjithëse njerëzit e keqpërdorin këtë, kemi një normë të shtimit 4.7% etj, unë mendoj që ajo është një shifër relative dhe reflektohet për shkak të bazës së ulët dhe kur të llogaritet në bazë të indeksit bazë atëherë reflektohet një vlerë e madhe e numrave relativ”.

“Prandaj, për të dal nga një situatë kaotike ekonomike, nuk është mjaftueshme as 4 as 5, norma e zhvillimit ekonomik do te duhej të ishte dy shifror, sa do të jetë ajo, varet se çfarë politike ekonomike zbaton qeveria. për të ndërruar kahe negative të trendëve ekonomike duhet që të bëhet një reformë rrënjësore ekonomike e cila nuk do të bëhet pa një strategji t planifikimit afatgjatë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Sipas Limanit, “fatkeqësia” e ekonomisë vendore është se është investuar në degët shërbyese e jo në ato prodhuese e që sipas tij kjo gjendje duhet të ndryshojë.

“Për fat të keq asnjë qeveri deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe zhvillimi ekonomik tek ne është zhvillu ad-hock në mënyrë parciale pa ndonjë koncept, pa ndonjë strategji, dhe pa vizion të caktuar. Në mungesë të një politike adekuate zhvillimore makro ekonomike, tek ne për fat të keq është zhvillu degashërbyese, shumë pak ato prodhuese. prandaj na mungon prodhimi dhe pikërisht në mungesë të kapaciteteve prodhuese ne jemi bërë shumë të varur nga importi”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me rritjen e buxhetit dhe ndarjen e tij në rreth 50% për skema sociale ai tha se kjo tregon që Kosova është e varfër, raporton EO.

“Është për çdo lëvdatë që projekt-buxheti i këtij viti është ndër buxhetet më të mëdha për nga vlera dhe normal që qeveria e ka parasysh ndarjen sipas zërave sipas lëmive dhe vet fakti që diku 50% e këtyre mjeteve shkojnë për probleme sociale të jep me kuptuar që problemi social në Kosovë është shumë i theksuar. Standardi i ulet dhe problemi social rrjedh nga mos zhvillimi ekonomik për arsye se një numër i konsiderueshëm i popullatës së Kosovës është i papunësuar”.

“Kur krejt kësaj ja shtojmë se pjesa dërmuese diku mbi 70% e popullatës në Kosovë burim kryesor e kanë marrëdhënien e punës, e kur dihet se norma e papunësisë është më e larta në rajon diku mbi 45% dhe gjithë kjo tregon se Kosova nga aspekti ekonomik dhe social do të thotë se është në një situatë alarmante”, tha ai.

Të ngjashme