Vazhdon të rritet numri i ankesave ndaj IPKO-s, paralajmërohet padi kolektive ndaj operatorit kabllor

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Nga 158 ankesa sa janë deponuar nga janari deri në muajin maj në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, 146 prej tyre janë për “IPKO”-n, derisa nga 6 ankesa janë për “Kujtesa” dhe “Art Motion”. Sipas DMK-së, ankesat e klientëve kanë të bëjnë kryesisht me pretendimet e konsumatorëve mbi shkeljen e kontratave në lidhje me programet televizive. Vetëm gjatë ditëve të fundit, në DMK kanë shkuar 70 ankesa ndaj “IPKO-s”, për shkak të largimit të disa kanaleve televizive nga kjo platformë, që siç pretendojnë klientët, janë bërë pa paralajmërime.

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se nga muaji janar deri tani në muajin maj, shumica e ankesave të klientëve të shërbimeve kabllore në vend janë për operatorin “IPKO”.

Nga 158 ankesa që janë deponuar në këtë departament në këtë periudhë, 146 prej tyre janë pikërisht për “IPKO”-n, derisa nga 6 ankesa janë për dy operatorët tjerë, “Kujtesa” dhe “Art Motion”.

Sipas DMK-së, ankesat e klientëve kanë të bëjnë kryesisht me pretendimet e konsumatorëve mbi shkeljen e kontratave në lidhje me programet televizive, karshi reklamacionit, dhe/apo respektivisht kontratave për kanalet televizive (‘ndryshimi i skemave programore karshi kanaleve televizive’).

Siç theksojnë nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, për shkak të natyrës së këtyre ankesave (kryesisht për shkelje të kontratave), ato janë drejtuar te autoriteti i Inspektoratit të Tregut, dhe disa të tjera pjesërisht te Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Vetëm gjatë ditëve të fundit, në DMK kanë shkuar 70 ankesa ndaj operatorit “IPKO”, për shkak të largimit të disa kanaleve televizive nga kjo platformë, që siç pretendojnë klientët, janë bërë pa paralajmërime.

Konsumatorët e kësaj kompanie private, që operon në Kosovë tash e sa vite, janë ankuar se këto ndryshime janë bërë pa paralajmërime paraprake, dhe se mundësia e shkëputjes së kontratës para kohe pas modifikimeve të tilla, nuk po iu ofrohet.

Në këtë rast, sipas informimit të DMK-së, nga Inspektorati i Tregut parashihet që të bëhet sërish padi kolektive ndaj IPKO-s (siç kishte ndodhur më herët), për shkak të ankesave të shumta që janë bërë nga konsumatorët. Por, ky nuk është fluksi i parë i ankesave kundër IPKO-s.

Fluksi i parë kundrejt operatorit IPKO, kishte qenë gjatë vitit të kaluar, konkretisht përgjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, dhe se tashmë “fenomeni i ankesave ndaj këtij operatori kabllor nuk paraqet diçka të re” as për DMK-në.

Sipas këtij departamenti, vetëm nga fundi i vitit të kaluar, Inspektorati i Tregut – MINT, ka dorëzuar rreth 200 ankesa pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në cilësinë e padisë kolektive për operatorët kabllor.

“Për aq sa kemi informacion në DMK, aktualisht ankesat për ‘shkelje kontrate’ janë trajtuar dhe janë duke u trajtuar nga Inspektorati i Tregut formë të padisë kolektive në Gjykatën Themelore”, thuhet në përgjigjet e DMK-së për Buletinin Ekonomik.

Ndërkohë, për ankesat e natyrave sikurse ‘praktikë mashtruese’, ‘shërbime jo cilësore’ apo ‘faturim i padrejtë’, DMK-ja tregon se të njëjtat tashmë janë adresuar te Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP). Këto ankesa në shifër janë gjithsej 63, nga të cilat deri më tani janë trajtuar 18 ankesa, ndërsa në proces janë ende 45 ankesa (nga të dhënat e DMK).

Ndërsa nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, kanë konfirmuar se ARKEP nuk është organi kompetent për trajtimin e ankesave që kanë të bëjnë me përmbajtjen e transmetuar përmes kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformat e operatorëve.

Ata i kanë udhëzuar klientët që të drejtohen me ankesa tek Komisioni i Pavarur për Media, pasi që kontratat me konsumatorët për ofrimin e shërbimeve të Televizionit Digjital Kabllor udhëhiqen bazuar në Rregulloret e miratuara pikërisht nga KPM-ja.

Ndërsa, sa i përket kushteve të kontratave të operatorit me klientët, ARKEP thekson se klientët kanë të drejtën e plotë të shkëputjes së kontratës nëse operatori në fjalë nuk i ka paralajmëruar ata 30 ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve në programet televizive siç kërkohet me ligj, nëse klientët nuk pajtohen me ndryshimet e bëra.

Sipas tyre, bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që:

“Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën.”

Kurse në rastet kur ofruesi i shërbimeve (operatori kabllor) i zbaton kushtet e kontratës (i paralajmëron klientët për modikfikime në platformë) dhe konsumatori dëshiron të shkëpusë kontratën para kohe, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 5.7 te Rregullores, ku përcaktohet se:

“Ndërmarrësi mund të kërkojë kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 12 muaj, respektivisht 12 muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 24 muaj. Shuma e kompensimit të dëmit nuk mund të tejkalon tarifën e parapagimit mujor për periudhën e mbetur prej nëntë (9) respektivisht 12 muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores.”

Në anën tjetër, nga kompania IPKO kanë theksuar se të gjithë klientët e saj janë njoftuar për këto ndryshime sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë, dhe se “çdo kërkesë e pranuar nga ana e klientëve, trajtohet në bazë të të njëjtave ligje dhe rregullore në fuqi”.

“IPKO vazhdon të pasurojë përmbajtjen e saj televizive duke iu përgjigjur kërkesave të shumta të përdoruesve për përmbajtje të caktuar. Lista e kanaleve të IPKO është e pasuruar me ligat sportive, të gjitha kanalet vendore, si dhe kanale me dokumentarë, filma e programe për fëmijë”, thuhet tutje në përgjigjet e IPKO-s.

Të ngjashme